VLEN: Ironia ka emër – BDI s’mund të japë leksione për sundimin e ligjit

Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të sotme të zëdhënësit të BDI-së, Arbër Ademi, lidhur me “dështimin në sundimin e ligjit”, duke e cilësuar këtë dalje si shembull të “shkëputjes së BDI-së nga realiteti”.

Në reagimin e tyre, VLEN thekson se është “ironike dhe e pabesueshme” që një parti e cila, sipas tyre, ka gjysmën e kryesisë në listat e zeza për korrupsion, të mbajë ligjërata për standarde evropiane dhe sundimin e ligjit.

“BDI është arsyeja kryesore pse vendi për vite të tëra nuk ka lëvizur përpara në detyrimet e Klasterit I. Një parti që për 20 vite e ktheu kapjen e shtetit në art, sot shtiret si moraliste”, thuhet në reagim.

VLEN akuzon BDI-në për politizim të gjyqësorit, duke pretenduar se:

gjykatat janë shndërruar në “filial të BDI-së”,

vendimet “merreshin në korridoret partiake”,

ndryshimet e Kodit Penal janë bërë “për amnisti të të korruptuarve”.

Sipas tyre, vetë Bashkimi Evropian ka konstatuar problemet e qeverisjes së kaluar, duke kujtuar raportin e Priebe-s, i cili e përshkruante qeverisjen Gruevski–Ahmeti si “shembull klasik të kapjes së shtetit”, me raste të montuara politike dhe padrejtësi sistemike që çuan në “mijëra shqiptarë të dëbuar nga vendi”.

Koalicioni VLEN riafirmon se është për financim të pavarur dhe funksionim real të gjyqësorit, si dhe për mekanizma të fortë të llogaridhënies, “që drejtësia t’u shërbejë qytetarëve dhe askujt tjetër”.