LSDM-ja opozitare edhe sot ka reaguar lidhur skandali e pacientëve të cilëve u është kryer intervenim në zemër pa pasur nevojë. Renata Mlladenovska nëpërmjet një konference për shtyp thekson që është e patolerueshme heshtja për këtë rast, duke drejtuar gishtin nga pushteti i cili sipas saj, po tenton ta fsheh. LSDM-ja insiston që të publikohet raporti i Komisionit që ka konstatuar gjetjet së bashku me emrat e mjekëve dhe klinikave të përfshira në këto operacione. Krahas kësaj, ata kërkojnë që të dorëzohen padi penale për përgjegjësit, ndërsa të dëmtuarve t’u ofrohet ndihmë psikologjike.
“Po fshihet nga opinioni, cilët mjekë kanë dhënë udhëzime për këto operacione dhe ende nuk është dorëzuar asnjë padi penale. Nuk mundet që keqpërdorimi i profesionit shëndetësor për profit të individëve kështu të trajtohet. Çfarë pritet? Sikur dikush po tenton ta fshehë këtë rast monstruoz. A po i jepet dikujt kohë që t’i mbulojë gjurmët, gjegjësisht të pastrohen dokumentet? Sjellja e këtillë nuk është në përputhje me një shtet transparent dhe serioz. Emocioni i skandalit është më i madh se numrat, pasi që bëhet fjalë për jetë njerëzish. Flasim për njerëz të cilët kanë përjetuar ferr dhe tani e kuptojnë se operacioni i tyre nuk ka qenë i nevojshëm. Se dikush i sheh si profit, si mjet për pasurimin e dikujt”, tha Renata Mlladenovska, LSDM./Alsat.mk




