Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e ka quajtur tërësisht politike ngritjen e aktakuzës ndaj saj për rezervat shtetërore nga Prokuroria Speciale.
Ajo ka përmendur luftën në Ukrainë si arsyetim për rezervat më 2022, e “luftën” e Prokurorisë që ajo pretendon se po e bën kundër Qeverisë së kryesuar nga Albin Kurti arsyetim për akuzat e kësaj prokurorie.
Hajdari është pyetur nëse kryeministri në detyrë ka pasur lidhje me gjithë këtë rast, e ajo është përgjigjur se “nuk ka pasur, ai vetëm e ka aprovuar kërkesën tonë të ligjshme”.
“Çdo pretendim i Prokurorisë Speciale nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti. Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm marrë parasysh periudhën ku ndodheshim më 2022. Të gjitha të ashtuquajtura prova nga Prokuroria janë mbledhur jashtëligjshëm përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi që i ka dërguar në MINT pa certifikatë të sigurisë. Në raportin e IPK i është kërkuar u.d të kryeprokurorit Blerim Isufaj ta autorizoj IPK për veprime të mëtejmë, por kjo është mbyllë nga prokurori Valdet Gashi. Si ministri kemi dëshmi që vërteton se me të pranuar raportin e IPK, Gashi ka qenë në konflikt interesi dhe nuk mund ta trajtojë lëndën sepse vetë kishte autorizuar hetuesit ta merrnin dokumentacionin e rezervave në MINT”, ka thënë ajo në konferencë.
Hajdari ka thënë tutje se rrezikimi i fshehtësisë shtetërore, përmes marrjes së dokumentacionit mbi rezervat, është bërë nga Prokuroria Speciale dhe “disa media”, duke theksuar se këtë “në asnjë formë” nuk e ka bërë vetë.
“Rrezikimi i fshehtësisë shtetërore është bërë nga Prokuroria Speciale dhe disa media dhe asnjë formë nga unë. Ju qytetarë duhet të njoftoheni se nga MINT kemi vepruar në urgjencë për të gjetur për shtet mik apo kompani që do t’i hapte dyert ndaj eksportit të produkteve bazë në shkurt-mars 2022”.
Ajo e ka quajtur “jetike” sigurimin e rezervave gjatë periudhës shkurt-mars 2022, pasi sipas ministres, siguria kombëtare ishte në rrezik.
“Për këtë arsye sigurimi i rezervave të mallrave ishte jetik sepse siguria kombëtare ishte në rrezik, duhej veprim i menjëherë i institucioneve tona”.




