Presidenti, Volodymyr Zelensky, tha të premten se trupat ukrainase kanë goditur me sukses objektiva në Rusi gjatë natës, duke përdorur raketat ukrainase rreze të gjatë “Long Neptune”.
Ai ka shtuar se këto sulme po bëhen gjithnjë e më të suksesshme me kalimin e kohës.
“Natën e kaluar, luftëtarët tanë përdorën me sukses ‘Long Neptune’ kundër objekteve të caktuara në territorin rus dhe kjo është përgjigja jonë e duhur ndaj terrorit të vazhdueshëm të Rusisë”, shkroi Zelensky në X.
“Raketat ukrainase po japin rezultate gjithnjë e më të mira dhe të sakta pothuajse çdo muaj”, ka shtuar Zelensky.
Këto raketa, të cilat u testuan me sukses në betejë në muajin mars, kanë një rreze veprimi prej 1.000 km, tha Zelensky në atë kohë, pa përmendur vendin ku u bënë testimet.
Javën e kaluar, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se po rritet përdorimi efektiv i armëve vendase me rreze të gjatë, përfshirë raketat e tipit “Neptune”.
“Kjo po i shkakton armikut shumë shqetësime”, thuhej në njoftimin e Shtabit të Përgjithshëm të martën.
Zelensky nuk e përmendi ndonjë objektiv të caktuar. Dy burime i thanë Reutersit se porti i naftës i Novorosiysk në Detin e Zi të Rusisë ka pezulluar eksportet e naftës pas një sulmi me dronë nga Ukraina, por Ukraina nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin.




