Bedri Hamza, kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së?

Të hënën e 17 nëntorit Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë Konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Deri më tani, vetëm Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë, transmeton Klankosova.tv.

Në emisionin “Ora Shtatë”, opinionistja Afërdita Maliqi, thotë se nuk është e befasishme nëse nuk do të ketë kandidatura të tjera pos Hamëz.

“Deri më tani, përveç kandidaturës së Bedri Hamëz, për të cilin është pritë, dhe pothuajse është krijuar ambienti, është përgatitur edhe elektorati që Bedria do të jetë kryetar i PDK-së, deri më tani nuk kam pa, por nuk është e befasishme edhe nëse shohim kandidatura të tjera”, u shpreh Maliqi.

Ndërsa gazetari, Arlind Imeri deklaroi se kandidimi i Hamëz për kryetar të PDK-së, është pritur.

“Është pritur kandidatura e Bedri Hamëz. Ka pasur kërkesa edhe prej strukturave të PDK-së për me pasë Bedri Hamzën si kryetar”, tha Imeri.

Gazetari po ashtu tha se nuk beson që Sami Lushtaku, kryetari i Skenderajt, do të shpallë kandidaturën për të marrë drejtimin e PDK-së.

Nga ana tjetër, Enver Hoxhaj ka kërkuar që Konventa e PDK-së të shtyhet deri të dielën e ardhshme, pasi sipas tij, “kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë”.