Indeksi Global i Krimit të Organizuar: Kosova me nivelin më të ulët të krimit në Ballkanin Perëndimor

Kosova rangohet si vendi me nivelin më të ulët të krimit dhe të viktimave në aksidente me fatalitet në Ballkanin Perëndimor, sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar për vitin 2025.

“Sipas rezultateve të këtij indeksi për vitin 2025, i cili mat 15 tregje kriminale, 5 lloje akterësh kriminalë dhe 12 blloqe të qëndrueshmërisë, të publikuar nga Global Initiative Against Transnational Organized Crime, Kosova vlerësohet me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor, me një mesatare prej 4.85 pikësh në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 10”, thuhet në publikimin e Policisë së Kosovës të enjten, duke iu referuar raportit.

Po ashtu sipas raportit të Transport Community, Kosova ka arritur rezultate pozitive edhe në sigurinë rrugore.

“Sipas raportit të Transport Community, i publikuar me 12 nëntor 2025, me të dhënat e vitit 2024, Kosova ka arritur rezultate pozitive edhe në sigurinë rrugore, duke pasur numrin më të ulët të viktimave për një milion banor në aksidente fatale, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje.

Indeksi Global i Krimit të Organizuar është tregues që mat dhe rendit vendet bazuar në përhapjen e krimit të organizuar dhe rezistencën e tyre ndaj krimit, po ashtu vlerëson edhe aktivitetet kriminale të tilla si trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore dhe krimi kibernetik, së bashku me aftësinë e një vendi për të luftuar këto kërcënime përmes qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai publikohet nga Observatori i Sigurisë Rrugore në Ballkanin Perëndimor.