Për më pak se 5 vjet, 44 vajza të moshave 15–19 vjeç abortuan në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, duke e bërë këtë rajon me numrin më të madh të vajzave të mitura që kanë kryer abort në institucionet shëndetësore publike, pa përfshirë rastet në privat dhe ato jashtë ligjit.
Disa nuk qenë të gatshme të bëhen nëna. E disa humbën foshnjën spontanisht. Aborti ishte i pashmangshëm.
Më së shumti raste pati në vitin 2021. Atë vit abortuan 14 të mitura, ndërsa më paku pati sivjet, vetëm 2.
Nga viti 2020 deri në shtator 2025 janë regjistruar gjithsej 1.093 aborte mjekësore dhe spontane në Spitalin e Ferizajt.
Numri ishte më i lartë në vitet 2020 dhe 2021, por më pas ra.
Sipas grup moshave, gratë 25–34 vjeç janë më të prekura.
Në Prizren, situata ndryshon. Sipas të dhënave të spitalit rajonal atje, nga 2020 deri në shtator të vitit 2025 janë kryer 365 aborte artificiale.
Numri ndryshon çdo vit, me rritje të lehtë në dy vitet e fundit.
Në 2024-tën u regjistruan 69 raste, ndërsa deri në shtator 2025, 67.
Dy paciente ishin nën 18 vjeç, të dyja nga Prizreni.
Të dhënat zyrtare thonë se shumica e pacientëve vijnë nga Prizren, Dragash, Suharekë, Rahovec dhe Malishevë.
Në Kosovë, ende mungojnë të dhëna për aborte jashtë spitaleve publike.
Nuk ka statistika për ndërprerjet e shtatzënisë në spitalet private. As për ato të kryera në mënyrë ilegale.
Ekspertët thonë se numri real i aborteve artificiale mund të jetë shumë më i lartë.
Për këto dhe shumë të tjera, më poshtë e gjeni kronikën e përgatitur nga KIKS Kosova.




