Rezultatet preliminare të garës së balotazhit 2025

22:30 – Gazmend Muhaxheri në krye të Pejës edhe për një mandat

Komunën e Pejës do ta udhëheqë edhe për një mandat kryetari aktual i saj, Gazmend Muhaxheri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së, Muhaxheri në balotazhin e së dielës ka marrë 19,629 vota apo 61,15%.

Ndërsa kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, ka marrë 12,472 vota apo 38,85%.

22:09 – Rezultatet preliminare, Shaqir Totaj i PDK-së edhe një mandat në krye të Prizrenit

Rezultatet preliminare të KQZ-së të balotazhit për kryetar të Komunës së Prizrenit e nxjerrin fitues kryetarin aktual të Komunës dhe kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj.

53.86% apo 25 mijë e 326 mijë vota i mori Totaj ndërsa kundërkandidati i tij nga radhët e LVV-së, Artan Abrashi, mori 46.14% apo 21 mijë e 699 vota.

Në këtë komunë të drejtë vote kishin 188 mijë e 971 persona nga të cilët 47 mijë e 25 e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.

21:45- Abdulhadi Krasniç fiton Mamushën

Abdulhadi Krasniç nga partia Kosova Demokratik Türk – KDTP, ka marr 53.58% apo 1 mijë e 577 vota për të qeverisur me komunën e Mamushës, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

Kundërkandidati i tij, Fikret Morina, nga partia Mamusha Halk Hareketi, mori 200 vota më pak, ose 1 mijë e 366 vota.

Gjithsej numri i votuesve në këtë komunë me shumicë turke është 4 mijë e 387 persona me të drejtë bote ndërsa morën pjesë 2 mijë e 943 persona ose 67.08%.

21:43 – Rezultatet preliminare, kandidati i Listës Serbe fiton balotazhin në Kllokot

Lista Serbe do të qeverisë me Komunën e Kllokotit sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

Kandidati i kësaj partie, Bozhidar Dejanoviq ka marrë 948 vota, apo 90.03%, për dallim nga kundërkandidati i tij, Sreqko Spasiq, i cili mori vetëm 105 vota apo 9.97% të tyre në balotazhin e zhvilluar sot, më 09.11.2025.

Në këtë komunë me shumicë serbe, të drejtë vote kanë 4 mijë e 181 persona, ndërsa votuan vetëm 1 mijë e 53 prej tyre, apo kthyer në përqindje, 25.19%.

21:38- Smajl Latifi në krye të Rahovecit edhe për një mandat

Komunën e Rahovecit do ta udhëheqë edhe për një mandat kryetari aktual i saj Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Latifi ka fituar 8,516 vota apo 53,00%.

Ndërsa, Ali Dula nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 7,552 vota apo 47,00%.

21:35- Ferit Idrizi i PDK-së qeveris edhe një mandat me Vushtrrinë

Kryetari aktual i Vushtrrisë, Ferit Idrizi do të qeveris edhe për një mandat me këtë komunë sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

Idrizi ka marr 54.27% apo 14 mijë e 427 mijë vota, për dallim nga kundërkandidati i tij nga LVV-ja, Sylejman Meholli, i cili mori 45.73%, apo 12 mijë e 158 vota, pra dy mijë vota më pak.

Në balotazh për këtë komunë morën pjesë 34.47% apo 26 mijë e 595 votues, nga 77 mijë e 119 votues të regjistruar gjithsej.

21:30- Rezultatet preliminare, Sokol Haliti udhëheq sërish Vitinë

Kryetari aktual i Vitisë, Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqë edhe për një mandat këtë komunë.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Haliti ka marrë 8,352 vota apo 50.60% të votave.

Kurse, kundërkandidati i tij nga LVV-ja, Arsim Demi ka marrë 8,155 apo 49,40% të votave.

21:25- Përparim Rama edhe një mandat në krye të Prishtinës

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e kanë shpallur Përparim Ramën fitues të këtij balotazhi për kryetar komune të Prishtinës.

Përparim Rama nga LDK-ja ka marr 51.54% apo 46 mijë e 935 vota.

Në Prishtinë kanë votuar 91 mijë e 61 persona me të drejtë vote nga 222 mijë e 418 votues të regjistruar.

Në balotazh për Prishtinën, kandidati i LVV-së, Hajrulla Çeku ka marr 48.46% apo 44 mijë e 126 vota.

21:21- Halil Thaçi i LVV-së fiton garën për Obiliqin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi ka fituar garën për kryetar të Komunës së Obiliqit në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-zë, Thaçi ka marrë 6,441 vota apo 51,09%.

Kurse kundërkandidati i tij nga LDK-ja, Xhafer Gashi mori 6,167 vota apo 48,91%.

Gashi pas këtyre rezultateve njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në këtë parti.

21:17 LDK humb një bastion, Valon Prebreza i LVV-së fiton balotazhin për kryetar të Fushë-Kosovës

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka fituar garën bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së.

Prebreza ka marrë 10,583 vota apo 54,99%. Ndërsa Besnik Osmani i LDK-së ka marrë 8,664 vota po 45,01%.

Kjo është hera e parë që LDK humb Fushë-Kosovën, një bastion i saj.

21:07- Zenun Elezaj në krye të Klinës edhe për një mandat

Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj nga AAK-ja do të udhëheqë këtë komunë edhe për një mandat, bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së.

Elezaj ka fituar 8,084 vota apo 58,02%.

Ndërkaq kundërkandidati i tij nga PDK-ja, Sokol Bashota ka marrë 5,849 vota apo 58,02%.

21:02- Sabedin Vishi i PDK-së fiton Kaçanikun bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për komunën e Kaçanikut, Sabedin Vishi ka dalë fitues në këtë komunë në garën e balotazhit për kryetar të komunës.

Vishi sipas rezultateve preliminare ka marrë  7,548 vota apo 51,86%. Ndërsa Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 7,006 vota apo 48,14%.

20:56- Rezultatet preliminare: Bexhet Xheladini vazhdon udhëheqjen me Komunën e Dragashit

Kryetari aktual i Dragashit, Bexhet Xheladini nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqë këtë komunë edhe për një mandat, bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së.

Pas numërimit të votave nga KQZ, në rezultatet ku nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe me postë, Xheladini ka fituar 6,106 vota apo 58.45%.

Kurse kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaban Shabani ka marrë 41.55% të votave apo 4,340 vota.

20:48- Rezultatet preliminare të KQZ-së: Ardian Gjini fiton edhe një mandat si kryetar i Gjakovës

Kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheq edhe për një mandat këtë komunë.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Gjini ka marrë 56.03% të votave.

Kurse, kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje Ardian Gola ka marrë 43.97% të votave.

20:46 – Bali Muharremaj i AAK-së fiton në Suharekë

Ka përfunduar numërimi i votave për kryetar të Komunës së Suharekës.

Në këtë komunë ka fituar kryetari aktual, njëherazi i AAK-së, Bali Muharremaj, i cili ka marrë 55.60% të votave apo 11 mijë e 640 vota.

Nga 69 mijë e 805 personave me të drejtë vote kanë votuar 20 mijë e 935, apo 29.99%.

Në këtë komunë ishin 87 vendvotime.

Kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ardian Shala, ka marrë 44.40% të votave apo 9 mijë e 295.

Duke klikuar në këtë LINK, gjeni rezultatet preliminare të balotazhit.

20:40- Ruzhdi Shehu i LDK-së fiton edhe një mandat në krye të Junikut sipas rezultateve preliminare të KQZ-së

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komunën e Junikut do të marrë edhe për një mandat Ruzhdi Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas numërimit të 100 për qind të votave, Shehu ka marrë 55.92%.

Ndërkaq, kundërkandidati i tij nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Agron Kuçi ka marrë 44.08% të votave.

Kandidatët e 18 komunave që garuan në balotazh 

Të dielën më 09.11.2025, u zhvillua gara elektorale e balotazhit në 18 komuna të Kosovës për zgjedhjet lokale 2025.

Sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtë vote kanë pasur 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë të vendit.

Procesi zgjedhor u zhvillua në 525 qendra të votimit, me gjithsej 1 mijë e 648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1 mijë e 628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë, me 20 vendvotime, për votimin me kusht.

Për Komunën e Gjilanit garuan Alban Hyseni, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Arbër Ismajli nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në raundin e parë të mbajtur më 12.10.2025, Alban Hyseni i LVV-së mori 49.80% të votave, kurse Arbër Ismajli i LDK-së 34.29%.

Për kryetar të Komunës së Gjakovës garuan Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Ardian Gola i LVV-së. Në zgjedhjet e datës 12.10.2025, Ardian Gjini i AAK-së mori 47.53% të votave, ndërsa Ardian Gola i LVV-së 31.89%.

Në Komunën e Prizrenit garuan Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Artan Abrashi i LVV-së. Në raundin e parë, Shaqir Totaj i PDK-së ka pasur 41.45% të votave, kurse Artan Abrashi i LVV-së 30.39%.

Gazmend Muhaxheri i LDK-së synoi mandatin e katërt si i pari i Pejës dhe në raundin e parë ka marrë 46.25% të votave, kurse Taulant Kelmendi i LVV-së 27.78% të votave.

Për Komunën e Prishtinës garuan Përparim Rama i LDK-së dhe Hajrulla Çeku i LVV-së. Në raundin e parë, Përparim Rama i LDK-së mori 33.71% të votave, kurse Hajrulla Çeku i LVV-së mori 33.21%.

Arian Tahiri i PDK-së dhe ai i LVV-së, Faton Peci garuan për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut. Në raundin e parë, Tahiri mori 47.57%, kurse Peci 47.94% të votave.

Në Komunën e Fushë Kosovës garuan Besnik Osmani i LDK-së dhe Valon Prebreza i LVV-së. Në raundin e parë, Valon Prebreza i LVV-së kishte 45.15%, ndërsa Besnik Osmani i LDK-së 36.66%.

Sokol Haliti i LDK-së dhe Arsim Ademi i LVV-së garuan për kryetar të Komunës së Vitisë. Nga raundi i parë, Sokol Haliti i LDK-së mori 38.01% të votave, kurse Arsim Ademi i LVV-së 33.46%.

Ferit Idrizi i PDK-së dhe Sylejman Meholli i LVV-së ishin në balotazh për Vushtrrinë. Në raundin e parë, Ferit Idrizi mori 45.24% të votave, kurse Sylejman Meholli 30.81%.

Zenun Elezaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Sokol Bashota i PDK-së garuan për të parin e Komunës së Klinës. Në raundin e parë, Zenun Elezaj i AAK-së mori 48.47% të votave, ndërsa Sokol Bashota i PDK-së 35.41%.

Në Komunën e Kaçanikut qytetarët zgjodhën në mes Sabedin Vishit të PDK-së dhe Jeton Rakës së LVV-së. Në raundin e parë, Sabedin Vishi i PDK-së mori 39.61%, kurse Jeton Raka i LVV-së mori 37.94%.

Xhafer Gashi i LDK-së dhe Halil Thaçi i LVV-së garuan për Komunën e Obiliqit. Në raundin e parë, Gashi mori 46.20%, kurse 44.37% të votave.

Smajl Latifi i AAK-së që mori 37.18% të votave në raundin e parë, kurse Ali Dula i LVV-së 23.93%, garojnë për Komunën e Rahovecit.

Bali Muharremaj i AAK-së me 45.42% të votave, ndërsa Ardian Shala i LDK-së me 31.32%, arritën rezultatin zgjedhor në raundin e parë për Komunë të Suharekës. Ata garojnë në raundin e dytë.

Bexhet Xheladini i LDK-së që mori 45.62% të votave në raundin e parë, kurse Shaban Shabani i PDK-së 28.05%, garojnë për Komunën e Dragashit.

Ruzhdi Shehu i LDK-së dhe Agron Kuçi i AAK-së garuan për Komunë të Junikut. Në raundin e parë, Shehu kishte marrë 48.89% të votave, ndërsa Kuçi kishte marrë 38.88%.

Në Komunën e Mamushës garuan Abdulhadi Krasniç dhe Fikret Morina. Në raundin e parë, Krasniçi i Partisë Demokratike Turke (KDTP) mori 49.80% të votave e Fikret Morina i Mamusha Halk Hareketi 48.83%.

Në Komunë të Kllokotit garuan Bozidar Dejanoviç i Listës Serbe dhe Srecko Spasiç i partisë Srpska narodna Sloga. Dejanoviç mori 41.38%, kurse Spasiç 31.23% të votave në raundin e parë.

Procesi zgjedhor ka filluar nga ora 07:00 dhe ka zgjatur deri në ora 19:00, në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1 mijë e 648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1 mijë e 628 vendvotime për votimin e rregullt.

Kurse për votimin me kusht, janë 18 qendra, nga një për çdo komunë, me 20 vendvotime.

KQZ nisi shpërndarjen e materialit zgjedhor më 08.11.2025, ndërsa një plan operativ ishte hartuar nga forcat e rendit, në mënyrë që procesi zgjedhor të shkojë pa ndonjë problem.