Qytetarët në 18 komuna të Kosovës votojnë sot për t’i zgjedhur kryetarët e tyre në balotazh

Në Kosovë po zhvillohet sot raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarët në 18 nga 38 komuna votojnë për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave të tyre, transmeton Euronews.

Balotazhi po mbahet pasi në rundin e parë të zgjedhjeve, më 12 tetor, asnjë kandidat nuk arriti shumicën e nevojshme të votave.

Komunat ku zhvillohet balotazhi janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.

Në total, procesi po zhvillohet në 525 qendra votimi me 1.648 vendvotime. Prej tyre, 507 qendra me 1.628 vendvotime janë për votimin e rregullt, ndërsa 18 qendra me 20 vendvotime janë të dedikuara për votimin me kusht.