Kosovë-Shqipëri Kurti: Nga blerja te prodhimi – Kosova po zhvillon dronët e vet...

Kurti: Nga blerja te prodhimi – Kosova po zhvillon dronët e vet luftarakë “Made in Kosova”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se industria e mbrojtjes dhe teknologjisë së dronëve po zhvillohet me hapa konkretë brenda vendit. Ai ka njoftuar se Kosova po shndërrohet në një shtet prodhues të pajisjeve ushtarake, përfshirë dronët luftarakë.

Gjatë një vizite në Gjilan, bashkë me kryetarin Alban Hyseni, Kurti vizitoi kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarakë “Skifteri” dhe të dronëve civilë të zhvilluar nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR.

“Made in Gjilan” dhe “Made in Kosova” janë shprehjet që Kurti përdori për të përshkruar këtë arritje të re teknologjike. Sipas tij, droni kamikaz “K1” arrin shpejtësi maksimale prej 180 km/h dhe lartësi fluturimi deri në 2,500 metra, ndërsa “Skifteri” mund të ngjitet deri në 5,000 metra, me hapësirë operuese prej 20 km dhe shpejtësi deri në 270 km/h.

Kurti kujtoi se Kosova tashmë ka investuar në blerjen e dronëve nga shtetet partnere, si Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger, ndërsa tani po hyn në fazën e prodhimit vendas.

“Si qeveri, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, do të vazhdojmë të mbështesim ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe të mos ndalim investimet në mbrojtje e siguri,” theksoi Kurti.