Policia greke po heton mbi rastet e zhdukjeve të ndodhura ditët e fundit në Athinë, për të hedhur dritë mbi identitetin e personit të gjetur dje të lidhur e të djegur në pjesën e pasme të një automjeti në Skourta të Viotias pranë Athinës.
Edhe pse numri i personave të zhdukur 5 ditët e fundit në Athinë është 14, policia po përqendrohet te një shqiptar, punëtor ndërtimi e pa precedentë penalë.
Ai rezulton i zhdukur rreth katër ditë më parë. Ai jetonte në Evia dhe ditën e zhdukjes së tij po shkonte në Vilia. Fillimisht ai u nis nga Evia me një të njohur, bëri një ndalesë në një zonë të ishullit ku la mikun e tij dhe më pas vazhdoi rrugën vetëm në makinën e tij.
Në fakt, automjeti i tij është gjetur i braktisur nga policia. Një anëtar i familjes do t’u japë autoriteteve ADN për të përcaktuar nëse burri i zhdukur është ai i gjetur i karbonizuar në Skourta, Viotia. Siç kanë thënë anëtarët e familjes së tij, ai nuk kishte mosmarrëveshje me askënd dhe ata nuk mund ta kuptojnë se çfarë i ka ndodhur dhe papritmas ai nuk tregon shenja jete.
Mjeti ku u zbulua kufoma dje, rezulton i vjedhur në maj 2025 në Glifadha të Athinës dhe mbante targa të falsifikuara që i takojnë një mjeti të së njëjtës marke dhe ngjyre në Katerini. Kufoma u gjet me pranga nën krahë, të cilat ndoshta u përdorën për ta lidhur, por që i ranë nga duart për shkak të karbonizimit.
Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur dy ditë më parë, ndërsa mjeti i djegur u zbulua dje paradite nga një gjahtar.




