Kasami nga tubimi i VV-së në Prizren: Projekte si rruga Tetovë–Prizren dëshmojnë bashkëpunimin e fortë që duhet të vazhdoj

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në tubimin përmbyllës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren, ku ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin Artan Abrashi në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që zhvillohen të dielën në Kosovë.

Kasami ka theksuar rëndësinë e këtij procesi demokratik dhe ka nënvizuar lidhjet e ngushta që ekzistojnë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, jo vetëm historikisht, por edhe në fushën e zhvillimit ekonomik.

“Projekte madhore si rruga Tetovë–Prizren janë dëshmi konkrete e këtij bashkëpunimi, i cili duhet të vazhdojë me përkushtim e vizion të qartë deri në përfundim,” – ka deklaruar Kasami.

Ai ka shtuar se pas zgjedhjeve, pret që bashkëpunimi me komunat e Kosovës të thellohet edhe më tej në drejtim të zhvillimit rajonal dhe forcimit të lidhjeve njerëzore e institucionale mes dy vendeve.