Kallëzim penal ndaj Milan Radoiçiqit dhe ushtrisë së Serbisë është dorëzuar së fundmi, pesë ditë pas plagosjes brenda territorit të Kosovës të serbit nga veriu, Milan Vukashinoviq.
Avokati Ivan Niniq ka njoftuar se në emër të nënës së Milan Vukashinoviqit, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuple, për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, kundër personave të panjohur, që dyshohet se janë pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të Milan Radoiçiq.
Në njoftimin e tij publik, Niniq ka theksuar se kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja dhe se askush nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare për rastin e të shtënave ndaj Vukashinoviqit.
“Prokurorit kompetent i kam propozuar 15 veprime hetimore që duhet të ndërmerren urgjentisht, sepse përndryshe është e qartë se do të tentohet të fshihet gjithçka ose të drejtohet në drejtim të gabuar siç ka ndodhur shumë herë më parë. Sidomos tani, kur as nuk dihet nëse Milan do të mbijetojë”, ka deklaruar Niniq.
Ai ka kritikuar ashpër heshtjen e institucioneve, duke thënë se “njerëzit në Serbi arrestohen për postime në rrjete sociale dhe deklarata, ndërsa një njeri është qëlluar si kafshë në gjueti dhe askush nuk reagon.”
“Familja nuk lejohet ta vizitojë, plumbi ende nuk i është nxjerrë nga shtylla kurrizore, ndërsa mjekët, prokuroria, ushtria dhe policia – të gjithë heshtin”, ka theksuar ai.
Avokati Niniq ka përmendur edhe mungesën e reagimit nga zyrtarët shtetërorë, përfshirë edhe drejtuesin e Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq si dhe heshtjen e mediave dhe opozitës.
“Asnjë reagim as nga shteti, as nga opozita. Dy media në Beograd nuk guxuan ta publikojnë lajmin në kohë reale, ndërsa në Prokuplje njerëzit flasin me zë të ulët. Ky mur heshtjeje është turpi më i madh i sistemit tonë”, ka shkruar Niniq.
Sipas tij, rasti i Milan Vukashinoviqit tregon “degradimin e thellë të shoqërisë dhe mungesën e çdo ndjenje përgjegjësie njerëzore e institucionale”.
Sipas raportimeve të fundit të Policisë së Kosovës, ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 1 nëntor në një zonë të njohur si “pika zero”, afër Leposaviqit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në qershor ishte publikuar një video ku Vukashinoviq shpreh hapur qëndrimin e tij.


![Ushtarët serbë hynë në Kosovë edhe me 15 tetor, e konfirmon KFOR-i [video]](https://lajmpress.org/wp-content/uploads/2025/11/auto_p1762447754-218x150.jpg)

