Behrami: Thaçi ka besuar dhe vazhdon të besojë në drejtësinë ndërkombëtare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka theksuar se ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka besuar dhe ende beson në drejtësinë ndërkombëtare.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai mbrëmë ka theksuar se Thaçi çdo herë e ka dëshmuar dhe treguar se është një burrështetas, transmeton Klankosova.tv.

Behrami u shpreh kështu derisa ishte duke folur për procesin gjyqësor pesëvjeçar që është duke u zhvilluar nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Konferenca atë ditë tregon dhe ka qenë një burrështetas i cili, në momente shumë të rëndësishme përcaktuese historike, ka ditur që interesin e shtetit ta vendosë para interesit personal. Personalitetet e tilla në Kosovë gjithmonë paragjykohen.”

“Disa e kanë shumë vështirë, me instinktin e frikacakëve e kanë shumë vështirë të vishen me instinktin edhe të patriotit edhe të burrështetasit. Prandaj kjo e tregon se zoti Thaçi, edhe në atë kohë edhe sot, ka besim në drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë Behrami.

Ai shtoi se ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka pasur katër ose pesëfish më tepër dosje se ndaj “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.