Daut Memishi sot hyri për herë të parë në komunën e Tearcës, ku u prit nga tashmë ish-kryetari Nuhi Neziri, i cili e njoftoi me punët që janë realizuar deri më tani dhe me projektet që e presin në të ardhmen. Pas një bisede të shkurtër mes ish-kryetarit dhe kryetarit të ri, të dy para mediave thanë se do të jenë të përkushtuar në vazhdimin e projekteve dhe në përmirësimin e infrastrukturës.
“Siç e shihni vetë, jeni dëshmitarë të procesit të pranim-dorëzimit. Në këto momente, fjalët e mia janë falënderuese për këtë rrugëtim katërvjeçar, për të gjithë qytetarët e komunës sonë, të cilët kanë qenë bashkëveprues në çdo aktivitet që kemi udhëhequr dhe kemi menduar se ishte në drejtim të realizimit të kërkesave të tyre”, tha Neziri.
“Ndjehem tepër i nderuar dhe njëkohësisht ndjej obligim për të përmbushur të gjitha zotimet që i kemi dhënë gjatë fushatës para qytetarëve. Synojmë ta çojmë komunën e Tearcës në një nivel më të lartë zhvillimi. Të gjithë ata që kanë kontribuar në të kaluarën do t’i kem pranë meje, që komuna e Tearcës të zhvillohet dhe të jetë në nivelin që i takon, njëherë e përgjithmonë”, tha Memishi.
		





