Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, pas përfundimit të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë ndaj tre personave, të cilët si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale – “vjedhje e rëndë” nga objekte të instalimeve publike me rëndësi të veçantë për sigurinë e njerëzve dhe pasurisë.
Të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, në periudhën nga marsi deri në fillim të majit të këtij viti, nga rrethi i fabrikës “Zhelezara” në Shkup – konkretisht nga objekti i “Polukonti–IGM” dhe nga tunelët nëntokësorë ku kalojnë kabllot e furnizimit me energji elektrike – kanë marrë disa kilometra kabllo të tensionit të lartë dhe të mesëm, pronë e kompanive A.D. ESM – Termocentralet e RMV-së – dega energjetike Shkup dhe “Makstil” A.D. Shkup, me vlerë të përgjithshme rreth 440 mijë euro.
Në disa raste, përmes hapjeve me shkallë që çonin në tunelët nëntokësorë, të akuzuarit hynin nga fabrika e “Polukonti–IGM” dhe, pasi siguroheshin me pajisje se kabllot nuk ishin nën tension, i prisnin me sharrë elektrike dhe i grumbullonin pranë hyrjes së tunelit. Si pasojë e veprimeve të tyre, më 9 prill shpërtheu zjarr në nënstacionin “TS Jug”, duke shkaktuar dëm shtesë në instalimet publike, për riparimin e të cilave u deshën mbi 100 mijë euro. Gjithashtu, gjatë periudhës së sanimit të defekteve, nuk u realizua prodhimi dhe shpërndarja e planifikuar e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë, me dëm prej rreth 60 mijë eurosh.
Më 6 maj, tre të akuzuarit u kthyen sërish në objekt me një automjet “Volkswagen Golf” për të përgatitur kabllot për transport, por gjatë manipulimit me kabllot, njëri prej tyre u lëndua. Të tre shkuan fillimisht në Qendrën Urgjente “Nëna Terezë”, ku i plagosuri mori ndihmën mjekësore të nevojshme. Pas kësaj, ata u kthyen në vendngjarje për të marrë veglat e lëna, por u kapën dhe u arrestuan menjëherë pas daljes nga rrethi i “Zhelezarës”.
Prokurori publik i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale të Shkupit që të vazhdojë masën e paraburgimit për të tre të akuzuarit, pasi ende ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit mbi dëshmitarët dhe rreziku për përsëritjen e veprës penale – arsye për të cilat masa e paraburgimit ishte kërkuar dhe vendosur fillimisht.




