Të paktën 60 palestinezë, përfshirë fëmijë janë vrarë në një valë sulmesh izraelite në Gazë të martën në mbrëmje, ka njoftuar agjencia e Mbrojtjes Civile dhe spitalet e drejtuara nga Hamasi.
Izraeli ka kryer sulmet në përgjigje të asaj që e ka quajtur shkelje nga Hamasi të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka akuzuar Hamasin për një sulm në Gazën jugore që vrau një ushtar izraelit të martën dhe për shkelje të kushteve për kthimin e trupave të pengjeve të vdekura.
Hamasi pretendon se nuk kishte “asnjë lidhje” me sulmin dhe këmbënguli se ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbajtur qëndrimin se “asgjë” nuk do të rrezikonte armëpushimin, por ka shtuar se Izraeli duhet të “kundërsulmojë” kur ushtarët e tij të jenë në shënjestër.
Sulmet izraelite goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi në Qytetin e Gazës dhe Beit Lahia në veri të Gazës, Bureij dhe Nuseirat në qendër, dhe Khan Younis në jug, sipas dëshmitarëve dhe ndihmësve të parë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se armëpushimi në Gazë nuk është në rrezik, pavarësisht sulmeve ajrore të Izraelit të martën në mbrëmje, e të cilat kanë lënë të vdekur të paktën 60 persona, sipas autoriteteve palestineze.
Aeroplanët izraelitë kanë goditur me sulme enklavën, teksa Izraeli dhe Hamasin kanë fajësuar njëri-tjetrin për shkeljet e armëpushimit.
“Siç e kuptoj unë, ata vranë një ushtar izraelit,” u ka thënë Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, rrugës për në Korenë e Jugut, në kuadër të turneut të tij pesëditor në Azi.
“Pra, izraelitët u kundërpërgjigjën dhe duhet të kundërpërgjigjen. Kur kjo të ndodhë, ata duhet të kundërpërgjigjen”, ka shtuar presidenti amerikan.
Ushtria izraelite ka konfirmuar vdekjen e ushtarit të mërkurën.
“Asgjë nuk do ta rrezikojë armëpushimin”, ka deklaruar Trumpi.
“Duhet ta kuptoni që Hamasi është një pjesë shumë e vogël e paqes në Lindjen e Mesme dhe ata duhet të sillen mirë”.
Sulmet izraelite pasuan një deklaratë nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cila tha se ai kishte urdhëruar “sulme të fuqishme” të menjëhershme.
Një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se Hamasi kishte shkelur armëpushimin duke kryer një sulm kundër forcave izraelite që ishin të stacionuara brenda të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, vija e vendosjes e rënë dakord në armëpushim.
Turqia ka reaguar të martën duke thënë se sulmet e ripërtërira të Izraelit në Gazë përbënin shkelje të armëpushimit dhe se qeveria izraelite duhet të shtyhet nga fuqitë botërore që t’i përmbahet plotësisht marrëveshjes dhe t’i japë fund “politikës së saj të gjenocidit”.
Izraeli ka mohuar fuqimisht se veprimet e tij në Gazë përbëjnë gjenocid dhe thotë se ato justifikohen si vetëmbrojtje. Izraeli po lufton një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë që e akuzon atë për gjenocid.
Marrëveshja e armëpushimit e mbështetur nga SHBA-ja ka hyrë në fuqi më 10 tetor, duke ndaluar dy vjet luftë të shkaktuar nga sulmet vdekjeprurëse të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.




