Trump paralajmëron rritje të taksave ndaj Kolumbisë mes akuzave për trafik droge

President Donald Trump speaks to the White House Religious Liberty Commission during an event at the Museum of the Bible, Monday, Sept. 8, 2025, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci)

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se do të vendosë tarifa më të larta ndaj importeve nga Kolumbia dhe do të ndalojë çdo pagesë financiare ndaj këtij vendi, duke përshkallëzuar krizën mes dy vendeve lidhur me trafikun e drogës.

Duke folur nga bordi i avionit presidencial “Air Force One”, Trump akuzoi presidentin kolumbian Gustavo Petro se është i përfshirë në trafik droge, duke e cilësuar madje si një “lider i drogës ilegale”.

Kolumbia ka reaguar ashpër ndaj akuzave, duke paralajmëruar se do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për të mbrojtur sovranitetin dhe dinjitetin e presidentit të saj. Ministria e Jashtme e Kolumbisë i cilësoi deklaratat e Trump si “akte serioze që cenojnë dinjitetin kombëtar”.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kolumbisë janë përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit. Trump i anuloi vizën presidentit Petro në shtator, pasi ky i fundit mori pjesë në një protestë pro-palestineze në New York dhe i bëri thirrje ushtarëve amerikanë të mos ndjekin urdhrat presidencialë.

Petro ka kritikuar gjithashtu goditjet ushtarake amerikane në Karaibe, që kanë shkaktuar dhjetëra viktima, ndërkohë që organizatat e të drejtave të njeriut i kanë quajtur këto veprime “të jashtëzakonshme dhe të paligjshme”.

Në shtator, administrata Trump e përfshiu zyrtarisht Kolumbinë në listën e vendeve që “kanë dështuar në mënyrë të dukshme” në përmbushjen e angazhimeve për luftën kundër narkotikëve.