Rita Ora vazhdon të tërheqë vëmendjen me paraqitjet e saj magjepsëse dhe format e saj të përsosura.
Këngëtarja shqiptare, 34 vjeçe, u shfaq mahnitëse në një fustan të bardhë transparent, që la shumë pak vend për imagjinatë, teksa mori pjesë në pas-ndejën e “Armani”-t pas ‘Academy Museum Gala’, të mbajtur të shtunën mbrëma në Chateau Marmont në Los Angeles.
Rita kompletoi pamjen me një shall të hollë jeshil transparent dhe sandale me taka të larta, ndërsa flokët bionde të shkurtuara i kishte lënë të valëzuara lehtë mbi supe. Grimi i saj ishte i ndritshëm dhe elegant, duke theksuar bukurinë e saj natyrale.
Ajo u shoqërua nga bashkëshorti i saj, regjisori Taika Waititi, 50 vjeç, i cili kishte zgjedhur një kostum klasik me këpucë të zeza me shkëlqim.
Para udhëtimit në ShBA, Rita kishte marrë pjesë në disa nga sfilatat më prestigjioze të Javës së Modës në Paris, përfshirë ato të Chloé, Tom Ford, Prada dhe brendeve të tjera të njohura.
Vetëm pak ditë më parë, ajo ndau me ndjekësit e saj në Instagram disa momente prapa skenave nga java e modës në Paris. Në një seri fotografish, Rita shfaqej me veshje të ndryshme elegante, përfshirë një fustan të bardhë pa rripa me dekolte të theksuar, të kombinuar me taka të holla dhe syze ovale.
Në një tjetër imazh, ajo shihej duke pozuar në ballkon me miqtë e saj, ndërsa në një tjetër publikoi një selfie para pasqyrës teksa po nisej në palestër. Postimin e shoqëroi me mbishkrimin: “FASHAWN kiki’s”.
Ndërkohë, vetëm disa javë më parë, Rita fitoi betejën ligjore me fqinjët e saj lidhur me ndërtimin e një palestrë moderne në kopshtin e vilës së saj luksoze prej 7.5 milionë funtesh (8.6 milionë euro).
Foto: BackGrid
Projekti i saj kishte shkaktuar reagime të ashpra nga banorët lokalë, të cilët pretendonin se ndërtimi do të dëmtonte qetësinë dhe ekosistemin natyror të zonës, duke e përshkruar palestrën si “një strukturë që shkatërron peizazhin”.
Ata e akuzuan këngëtaren se po e kthente hapësirën në një “pavilion drite dhe zhurme”, ndërsa një bllok i tërë banesash paraqiti ankesë kolektive kundër projektit.
Në ankesë thuhej: “Banorët që kanë zgjedhur këtë zonë për qetësinë e saj, nuk duhet të detyrohen të jetojnë me ndriçim artificial, tinguj të amplifikuar apo humbje të privatësisë. Edhe pse përmendet izolimi akustik, dyert rrëshqitëse me xham sugjerojnë që zhurmat dhe muzika mund të dëgjohen në çdo orë”.
Sipas tyre, ky projekt “nënvlerëson ndikimin e tij te fqinjët përreth dhe rrezikon të sjellë konflikte, ankesa dhe madje edhe mosmarrëveshje ligjore”.
Megjithatë, Rita duket se i ka lënë pas polemikat dhe po shijon sukseset e saj në muzikë, modë dhe kinema, ndërsa vazhdon të jetë një nga yjet më të komentuar në skenën ndërkombëtare.