Osmani: Me fasada të rregulluara dhe ashensorë të rinj, Çairi do të marrë pamje të re

Kandidati i AKI për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani ka paralajmëruar zgjidhje konkrete për ndërtesat në pjesën e vjetër të komunës që kanë problem me ashensorët jofunksionalë, si dhe përgatitjen e projekteve për ndërtesat që nuk kanë ashensorë.

“Çështja e ashensorëve ua vështirëson jetën njerëzve. Vlera e pronës në ndërtesat pa ashensor është dukshëm më e ulët, veçanërisht në katet e sipërme. Njerëzit që jetojnë në katet e fundit kanë shumë pak vlerë për banesat e tyre, sepse askush nuk dëshiron të blejë një banesë në katin e pestë pa ashensor”, tha Osmani.

Ai paralajmëroi se projekti për vendosjen dhe rindërtimin e ashensorëve do të fillojë menjëherë pas zgjedhjeve dhe do të mbështetet nga fondet evropiane.

“Deri në 85% të shpenzimeve për këto projekte mund të sigurohen përmes fondeve evropiane, ndërsa pjesën tjetër prej 15% do ta mbulojë komuna,” deklaroi Osmani.

Osmani theksoi se zgjidhja për ashensorët është pjesë e vizionit të tij më të gjerë për krijimin e ndërtesave funksionale, të sigurta dhe me efikasitet energjetik. Për më tepër, përmes këtyre projekteve do të ruhet pamja autentike e pjesës së vjetër të Çairit, por edhe do të mbrohet nga uzurpimi i mëtejmë.

“Me fasada të rregulluara dhe ashensorë të rinj, Çairi do të marrë një pamje dhe një vlerë të re. Dhe unë angazhohem që të mos lejoj të shkatërrohet as edhe një centimetër nga ajo gjelbërim, nga ato hapësira të hapura, nga ai trashëgim ku jetojnë njerëzit në Çairin e vjetër. Përkundrazi, do ta rregullojmë atë pjesë,” tha Osmani dhe shtoi se këtë ide ia kishte propozuar edhe kryetarit të atëhershëm të komunës.