Sabri Aziri: A e shpëtoi regjimi Bujar Osmanin nga rasti “Pacienti” për dëshminë e tij kundër rastit “Monstra”?

Zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të koalicionit VLEN në Çair, z. Sabri Aziri, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve dhe veprimeve të ish-ministrit Bujar Osmani, duke e cilësuar si një ndër figurat që ka qenë pjesë e padrejtësive më të mëdha ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në mesin e të cilave edhe rasti i njohur në opinion si “Monstra”.

“Ka plagë që nuk i mbyll koha. Ka dhimbje që nuk i shëron asnjë fjalë. E “Monstra” është njëra prej tyre. Një rast që nuk është vetëm pjesë e dosjeve të gjykatës, por pjesë e jetëve tona e dhimbjes së njerëzve të zakonshëm që u përballën me një shtet të padrejtë dhe me një sistem që luante me fatet e tyre. Në vend që të kërkojë falje për gjithçka që ka bërë, Bujar Osmani sot del përsëri para njerëzve me të njëjtën arrogancë, jo për t’u kërkuar falje atyre që i mashtroi dhe i la në baltë, por për t’u kërkuar vota si të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe pastaj ndodhi ajo që ndodh gjithmonë, kur ndonjëri ndihmon në heshtje regjimin, regjimi e shpërblen në heshtje”, deklaroi Aziri.

Sipas tij, në të njëjtën kohë kur po zhvillohej rasti “Monstra”, emri i Osmanit ishte përmendur edhe në një tjetër çështje – rastin “Pacienti”, i cili më pas u zhduk në mënyrë të dyshimtë nga vëmendja e opinionit publik.

“Në të njëjtën periudhë, një tjetër rast – rasti “Pacienti” e tronditi opinioni, por emri i Bujar Osmanit thjeshtë u zhduk, sikur dikush ta kishte fshirë me qëllim. Pa zë. Pa sqarim. Pa përgjegjësi. Asnjë hetim, asnjë pyetje publike, asnjë ndjesë. Si të mos kishte ekzistuar kurrë. A ishte kjo rastësi… apo ishte shpërblim për “dëshminë e duhur në momentin e duhur”? Sot po flas si njeri që e ka përjetuar peshën e padrejtësisë. Sepse kur një familje përplaset me shtetin dhe shteti hesht, ajo heshtje është më e rëndë se çdo vendim gjykate”, theksoi Aziri.

Ai shtoi se është e papranueshme që një politikan që ka qenë pjesë e këtyre padrejtësive të kërkojë sot votën e qytetarëve të Çairit.

“A mund t’i besohet atij që s’e ka kërkuar kurrë faljen? Nuk kam asgjë për t’i marrë dikujt. Dua vetëm që askush të mos e përjetojë atë që kemi përjetuar ne. Dua që Çairi ta shikojë me sytë e vet personin që vonë nuk i bëhet për çairasit sepse ai e ka dëshmuar qartë se Çairin e ka përdorur vetëm si trampolinë për karrierë politike, me mbi 10 vjet poste ministrore.Kjo kategori e njerëzve si Bujar Osmani qe aprovon burgosje te shqiptarëve nuk zgjedh menyra metoda vetëm dhe vetëm ta mbaj pushtetitn dhe të vijë në pushtet.Kjo më është e pa durueshme dhe kjo më nuk kalon!” potencoi Zëdhënësi i VLEN-it në Çair, Sabri Aziri

Aziri apeloi që qytetarët e Çairit të mos lejojnë që padrejtësitë e së kaluarës të përsëriten dhe se koalicioni VLEN përfaqëson ndryshimin dhe dinjitetin që shqiptarët meritojnë.