Moderatorja e njohur shqiptare, Arbana Osmani, ka ndarë me ndjekësit e saj disa detaje interesante nga jeta profesionale dhe personale.
Në rrjetet sociale, ajo u ka dhënë mundësinë ndjekësve të bëjnë pyetje, duke u përgjigjur me sinqeritet dhe spontanitet.
Një nga pyetjet që mori vëmendje të veçantë kishte të bënte me programin e saj “Mirëmbrëma Yje”, konkretisht nëse ndonjë nga të ftuarit i ka kërkuar ndonjëherë që të mos publikohet një pjesë e intervistës.
Arbana nuk hezitoi të përgjigjej dhe e pranoi se kjo gjë i ka ndodhur shpesh, duke e konsideruar krejt normale në realitetin mediatik të sotëm.
Në përgjigjen e saj, moderatorja shkroi: “Sigurisht. Dhe është krejt normale. Në kohën kur në mediat sociale deklaratat shkëputen nga konteksti, videot e shkurtra orientojnë shikuesit gabim, komentet janë të pamëshirshme dhe titujt abuzivë. Të gjithë personazhet tregohen shumë të kujdesshëm për të mos u keqkuptuar. Unë, si një njeri që keqkuptohem herë pas here, i mirëkuptoj plotësisht”.
Ky reagim i Arbanës tregon profesionalizmin dhe mirëkuptimin e saj ndaj të ftuarve, si edhe vështirësitë me të cilat përballet një figurë publike në epokën e rrjeteve sociale, ku çdo fjalë mund të interpretohet jashtë kontekstit.