Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër pas arrestimit në Kosovë të Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh në shërbim të Serbisë.
Në një postim në rrjete sociale, Ibrahimi kujtoi se një vit më parë, për një rast krejtësisht të pa lidhur – ku babai i një bashkëpunëtori teknik të fushatës së VLEN-it ishte arrestuar për dyshime të ngjashme – kundërshtarët politikë kishin shpërthyer me akuza ndaj tij dhe subjektit të tij.
“Natyrisht, një person teknik pa asnjë qëndrim të shprehur politik nuk kishte si të lidhej me ndikime politike, aq më shumë që bëhej fjalë për prindin e tij,” theksoi Ibrahimi.
Por, siç shton ai, këtë herë kur është arrestuar “njëfarë udbashi me emrin Fatmir Sheholli”, që vetëm para disa ditësh kishte “thurur elozhe për Ali Ahmetin si ‘lider i shqiptarëve në RMV’”, të gjithë kritikët e dikurshëm “heshtin dhe bëjnë të shurdhëtin”.
“Vetë Doctor Honoris Causa (Ali Ahmeti) nuk denjon të shpjegojë se çfarë e ka lidhur atë me një spiun të Serbisë në Kosovë. Veç mos më thoni se është rastësi!”, përfundon reagimin e tij Ibrahimi.