Marrëveshja Izrael-Hamas, Begaj: Hap i rëndësishëm drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur marrëveshjen Izrael-Hamas të shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Begaj e vlerësoi këtë arritje si një hap të rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme dhe të drejtë, siç tha ai, ndërprerjes së armiqësive dhe lirimit të pengjeve.

“Arritja e marrëveshjes së fazës së parë të planit të paqes midis Izraelit dhe Hamasit, një hap i rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme dhe të drejtë, ndërprerjes së armiqësive dhe lirimit të pengjeve”.

“Vlerësoj rolin e Presidentit Donald J. Trump për kontributin dhe përkushtimin e tij në arritjen e këtij procesi historik për paqen. Besoj se dialogu dhe mirëkuptimi mbeten rruga e vetme drejt një të ardhmeje të qëndrueshme në rajonin e Lindjes së Mesme”, thuhet në shkrimin e Begajt.