Kuvendi i Shqipërisë mban 1 minutë heshtje për gjyqtarin Astrit Kalaja

Kuvendi i Shqipërisë e ka nisur seancën e së enjtes me 1 minutë heshtje për gjyqtarin Astrit Kalaja i vrarë me armë zjarri në krye të detyrës.

“Gjyqtari Astrit Kalaja i shërbeu sistemit të drejtësisë me përkushtim duke lënë pas një shembull të ndershmërisë dhe përgjegjshmërisë në detyrë, në shenjë respekti për kontributin e tij ju ftojmë të mbajmë 1 minutë heshtje”, tha kreu i Kuvendit Niko Peleshi.

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri të hënë, në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit.

Elvis Shkambi qëlloi me tre plumba gjyqtarin menjëherë sapo dha vendimin në disfavor të tij për një çështje prone duke i shkaktuar vdekjen.

31-vjeçari qëlloi me armë zjarri edhe ndaj 2 personave të tjerë në sallën e gjyqit, me të cilët ishte në konflikt pronësie duke i lënë të plagosur, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

Pas arrestimit të autorit të vrasjes, Elvis Shkambi, në pranga lidhur me ngjarjen e rëndë janë vënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, si dhe punonjësi i sigurisë i Gjykatës së Apelit Tiranë, Banush Koxhaj.