Dauti: Edhe pak ditë na ndajnë nga çlirimi i komunave!

Zëvëndësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka shkruar se VLEN po çliron komunat duke aluduar për komunat që qeverisen nga BDI si streha e fundit për ta. Sipas, Dautit, kudo që shkon VLEN vërehet energji e ndryshimit dhe në këto zgjedhje përfundimisht ndryshimi do të ndodhë edhe në pushtetin lokal.

„Shqiptarët ia kanë marrë dorën ndryshimit! Aty ku dikur mbizotëronte apatia sot frymon shpresa dhe vendosmëria e dominon energjia. Siç shkaktuam tërmet në pushtetin qendror duke përmbysur të vjetrën, tani po vjen radha e komunave si streha e fundit për keqpërdëruesit, të cillët kishin harruar se kujt duhet t’i shërbejnë.
Kudo që shkojmë, nevoja për ndryshim po jehon si kushtrim. Në çdo qytet e fshat, në çdo lagje e institucion lokal, qytetarët po kërkojnë çlirimin e komunave nga duart e uzurpimit. Ka ardhur koha që komunat shqiptare të marrin frymë lirë, të bëhen sërish pronë e qytetarëve, jo pronë e klaneve interesave apo partive që me vulë amerikane janë non-grata“, ka shkruar zëvëndësdrejtori, Mustafa Dauti.

Ai tutje ka shtuar që VLEN-i ka dëshmuar rezultate të prekshme për vetëm një vit e gjysmë qeverisje. Në këtë drejtim, Dauti përmend konkretisht punët që ka bërë VLEN-i, që sipas tij me të njëjtin ritëm do të vazhdojnë edhe në pushtetin lokal.

„VLEN gjatë periudhës së qeverisjes ka arritur rezultate të prekshme në shumë fusha, duke vendosur standarde të reja për përfaqësim, transparencë dhe integritet. Është miratuar Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, janë bërë punësime meritore në institucione publike, është fuqizuar përdorimi i gjuhës shqipe dhe është zgjidhur statusi i Medresesë “Isa Beu”, si simbol i trashëgimisë arsimore e fetare si dhe kuptohet për herë të parë pas kaq viteve fuqizohen komunat shqiptare me buxhet të lartë, gjë që mundëson që të sigurohen mjete të cilat do të shërbejnë për nxitjen e zhvillimit lokal dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve në komunat shqipare. Për herë të parë, shqiptarët kanë përfaqësim real në vendimmarrje, ndërsa administrata e drejtuar nga VLEN është bërë shembull i profesionalizmit dhe efikasitetit.Në të njëjtën kohë, si VLEN kemi dëshmuar se qeverisja pa korrupsion është e mundur, duke mbajtur zero afera korruptive për më shumë se një vit e gjysmë. Është forcuar transparenca financiare, janë zbatuar reforma për llogaridhënie dhe është përmirësuar imazhi i institucioneve shqiptare. Me një qasje unifikuese dhe vizion zhvillimor, kemi avancuar pozitën politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke dëshmuar se përfaqësimi dinjitoz dhe efikas është rruga drejt barazisë dhe progresit.
“, ka përfunduar zëvëndësdrejtori, Dauti.