Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova mbajti sot një fjalim në takimin vjetor të vendeve pjesëmarrëse në “Procesin Brdo-Brion”, i cili u mbajt në Durrës, Republika e Shqipërisë.
Duke vënë në dukje paqëndrueshmërinë e pritjes së gjatë të Ballkanit Perëndimor në portat e Brukselit, për shkak të nevojës urgjente për të zgjeruar BE-në me të gjitha vendet evropiane me qëllim forcimin e rolit të saj, si dhe për të rritur rezistencën ndaj ndikimeve të palëve të treta, Siljanovska-Davkova theksoi se është cinizëm dhe hipokrizi t’i kërkosh dikujt të jetë rezistent ndaj ndikimeve të palëve të treta, duke e lënë atë në portat e Bashkimit Evropian.
Presidentja theksoi se këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, Deklarata u miratua me konsensus të udhëheqësve të vendeve pjesëmarrëse në “Procesin Brdo-Brion”.
Për të, bashkëpunimi është i nevojshëm për të zgjidhur problemet e përbashkëta, siç janë: eksodi i të rinjve, rreziku i stagnimit ekonomik dhe kapërcimi i sfidave të sigurisë.
“Unë besoj në vullnetin e mirë, besoj në qëllimet e mira, besoj në angazhimin e Kroacisë dhe Sllovenisë ndaj procesit dhe përgjegjësinë e tyre të veçantë ndaj rajonit dhe përparimit të tij të përshpejtuar drejt BE-së”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Iniciuesit e “Procesit Brdo-Brion” janë Republika e Kroacisë dhe Republika e Sllovenisë. Përveç nesh, procesi përfshin edhe: Republikën e Malit të Zi, Republikën e Serbisë, Republikën e Shqipërisë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën.