Nuk kanë të ndalur vdekjet nga rrëzimi nga lartësia në objektet ndërtimore. Incidenti i fundit ishte me 61 vjeçarin nga Turqia. Ai më 24 shtator ra nga lartësia, me lëndime të rënda trupore u dërgua në kompleksin “Nënë Tereza” pas çka edhe ndërroi jetë. Shoferi që e kishte dërguar në spital me veturë, i’a kishte mbathur por më pas ishte kapur nga policia. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Ivan Peshevski, fajin e hedh te ligji jo i plotë për siguri dhe shëndet në punë por edhe te kontrollet dhe gjobat e pa mjaftueshme nga ana e Inspektoratit të Punës. Edhe ato gjoba që shqiptohen, thotë se janë për punëtorët e jo për punëdhënësit.
“Për fat të keq në Maqedoni në vitet që kaluan, numri i viktimave është gjithnjë mbi 20. Numri i punëtorëve të lënduar që janë paraqitur është mbi 2000 në nivel vjetor. Kjo do të thotë se gjithnjë e më tepër punëtorë çdo ditë lëndohen ose vdesin në vendet e tyre të punës dhe mendoj se duhet zbatim më i rreptë i ligjit për siguri dhe shëndet në punë dhe kontrolle më të rrepta inspektuese, procesverbale parandaluese dhe gjithçka që duhet bërë që të mbrojmë punëtorët. Jo të shkojnë në punë që të vdesin por të fitojnë një copë bukë dhe të kthehen shëndosh e mirë pranë familjeve të tyre”, tha Ivan Peshevski – LSM.
Ndonëse kemi kërkuar, nga Inspektorati i Punës për Alsat ende nuk kanë dërguar raport për atë se sa kontrolle inspektuese janë bërë gjatë vitit 2025 në objekte ndërtimore, për të parë nëse respektohen rregullat e sigurisë në punë.
“Dhe vazhdimisht apelojmë, miq ktheni kamerat shihni se në çfarë kushtesh punojnë punëtorët. Nuk dëgjonte as qeveria e kaluar as e tanishmja për të mbrojtur punëtorët veçanërisht në veprimtaritë intensive, industria e metalit, ndërtimtari, bujqësi e kështu me radhë”, u shpreh Ivan Peshevski – LSM.
Vitin e kaluar në territorin e Maqedonisë kishte 16 viktima nga rënia nga lartësia në objekte ndërtimore. Në vitin 2023 kishte 22 ndërsa 24 në vitin 2022. Gjithashtu çdo vit në objekte ndërtimore paraqiten mbi 2000 të lënduar./Alsat.mk