Shtëpia e Bardhë: Largimet masive nga puna në prag, s’ka zgjidhje për mbylljen e qeverisë

Qeveria amerikane vijon të qëndrojë e mbyllur për të tretën ditë me radhë dhe Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se largimet masive nga puna do të nisin brenda dy ditëve nëse nuk gjendet një marrëveshje për financimin e shtetit.

Mbyllja e qeverisë (shutdown) nisi të mërkurën, pasi republikanët dhe demokratët në Kongres nuk arritën të bien dakord për një plan të ri shpenzimesh para afatit të mesnatës. Të dyja palët vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën, ndërsa një votim për të përfunduar mbylljen dështoi pak orë pas fillimit të saj.

Demokratët kërkojnë që financimi i shërbimeve shëndetësore për shtresat në nevojë të përfshihet në marrëveshje, ndërsa republikanët propozojnë një zgjidhje të përkohshme për të mbajtur qeverinë të hapur deri në mes të nëntorit me fondet aktuale.

Republikanët pretendojnë se demokratët po e mbajnë peng hapjen e qeverisë për përfitime që sipas tyre do t’u kushtojnë më shumë taksapaguesve. Nga ana tjetër, demokratët thonë se po mbrojnë shërbimet thelbësore për qytetarët në nevojë dhe se republikanët nuk janë të gatshëm për negociata të sinqerta.

Analistët thonë se kjo mbyllje pritet të jetë më e madhe se ajo e vitit 2018 dhe mund të prekë rreth 750 mijë punonjës federalë, afro 40 përqind e totalit.