Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) po punon për rikthimin e furnizimit me energji në centralin bërthamor të Zaporizhjës, në juglindje të Ukrainës, tha kreu i kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara.
Sekretari i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, tha se po punon me të dyja palët në konfliktin e armatosur për ta zgjidhur këtë çështje sa më shpejt.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më herët se situata në centralin bërthamor është kritike pasi ka hyrë në ditën e shtatë të emergjencës. Furnizimi me energji në central po mundësohet përmes gjeneratorëve me naftë, deklaroi Zelensky, duke shtuar se granatimet ruse po parandalojnë riparimin e linjave të energjisë në central dhe rikthimin e masave bazë të sigurisë.
“Për shkak të granatimeve ruse, centrali ka mbetur pa energji, është shkëputur nga rrjeti elektrik dhe po furnizohet me rrymë përmes gjeneratorëve me naftë”, shkroi ai në X. “Kjo është situatë e jashtëzakonshme. Gjeneratorët në central nuk janë të dizajnuar për këtë gjë, nuk kanë operuar kurrë kaq gjatë dhe ne veçse kemi informacione se një gjenerator është prishur”.
Zelensky tha se ka kërcënim “për të gjithë” dhe asnjë terrorist “nuk ka guxuar asnjëherë t’ia bëjë këtë që Rusia po ja bën këtij centrali bërthamor”.
Grossi tha se ai ishte “në kontakt të vazhdueshëm me dy palët me qëllim që të mundësohet rilidhja e shpejtë e centralit në rrjetin elektrik”.
“Ndërsa centrali aktualisht po e përballon situatën falë gjeneratorëve emergjentë me naftë – linja e fundit e mbrojtjes — dhe nuk ka rrezik të menjëhershëm për sa kohë që ata vazhdojnë të funksionojnë, kjo qartë nuk është një situatë e qëndrueshme nga pikëpamja e sigurisë bërthamore”, tha ai në një deklaratë, sipas Reuters.
“Asnjëra palë nuk do të përfitonte nga një incident bërthamor”, shtoi ai.
Grossi tha se të dyja palët kanë thënë se aktiviteti bërthamor i ka parandaluar që të kryejnë riparimet e nevojshme.
Autoriteti ukrainas për energji bërthamore, Enerhoatom, njoftoi për ndërprerjen e dhjetë në centralin e Zaporizhjës më 23 shtator, duke thënë se linja e fundit e energjisë që lidhte centralin me sistemin elektrik ukrainas ishte shkëputur.
Përfaqësuesit e IAEA-s në central konfirmuan se gjeneratorët emergjentë kishin filluar të funksionojnë për të furnizuar centralin me energji elektrike.
Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë. Ai ra nën kontrollin rus pak pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022. Reaktorët e centralit janë ndalur, por centralit i duhet energji që të mbajë funksionet e sigurisë, sikurse është ftohja e reaktorëve./REL