Të paktën 69 të vdekur pas tërmetit të fuqishëm në Filipine

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm në Filipine ka arritur në 69, tha një zyrtar më 1 tetor, teksa Qeveria ka mobilizuar agjencitë për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe rikthimin e furnizimit me rrymë dhe ujë.

Pjesa qendrore e Filipineve u godit nga një tërmet prej 6.9 shkallësh të Rihterit. Në qytetin Bogo, në provincën Cebu – që është afër epiqendrës së tërmetit që goditi pak para orës 22:00 të së martës – spitalet “janë të stërmbushura” me njerëz, tha zyrtari i Mbrojtjes Civile, Raffy Alejandro për gazetarët.

Numri i viktimave bazohet në të dhënat nga zyra për fatkeqësi në Cebu dhe mbetet që të verifikohet, tha Jane Abapo, zyrtare për informacion në zyrën rajonale të Mbrojtjes Civile. Një tjetër zyrtar, ndërkaq, tha se më shumë se 150 persona janë plagosur.

Presidenti Ferdinand Marcos Jr siguroi të mbijetuarit se Qeveria do t’iu ndihmojë.

Cebu, një prej destiancioneve më popullore turistike në Filipine, është shtëpi e 3.4 milionë banorëve. Pavarësisht dëmeve, Aeroporti Ndërkombëtar Mactan-Cebu ka vazhduar që të operojë.

Një tjetër qytet i goditur rëndë nga tërmeti është San Remigio. Zëvendëskryetari i këtij qyteti, Alfie Reynes, ka bërë thirrje për furnizime me ujë dhe ushqime për të evakuuarit, teksa autoritetet po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

Mediat lokale kanë publikuar video të njerëzve duke ikur nga shtëpitë e tyre pas dridhjeve të fuqishme të tokës.

Agjencitë për monitorimin e tërmeteve thanë se epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej 10 kilometrash, teksa janë regjistruar edhe disa pasgoditje – një prej të cilëve ka arritur në 6 shkallë.

Pas dridhjeve të tokës nuk ka pasur paralajmërime për cunami.

Filipinet gjendet në “Unazën e Zjarrit” në Paqësor, ku aktivitetet vullkanike dhe tërmetet janë të zakonshme. Shteti u përball me dy tërmete të fuqishme në janar, kur nuk u raportua për viktima. Më 2023, një tërmet prej 6.7 ballësh la të vdekur tetë persona.