Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
PZAP thotë se më datë 28.09.2025 ka pranuar një ankesë nga subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me të cilën pretendon se më datë 27.09.2025, kandidatja për Kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci, nga subjekti politik “Lëvizja Vetëvendosje”, në rrjetin social Facebook, në profilin e saj ka postuar një shkrim se PDK ka dy kandidatë në garë për kryetar të Drenasit, duke aluduar në Petrit Hajdari dhe Ramiz Lladrovci.
Në vendimin e PZAP-it thuhet se paneli pas shikimit të shkresave të lëndës dhe përgjigjes në ankesë, vlerësoj se pretendimet në ankesë se kandidatja për kryetare të Komunës së Drenasit, Egzona Tërdevci për subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje, me postimin e saj në rrjetin social facebook “Sonte nga ora20:20 debati për Drenasin në RTK. Të sinkronizuar si në çdo veprim tjetër, edhe sot dy kandidatët e PDK-së nuk ishin prezent në këtë debat. Ju ftoj të na ndiqni!”, janë të paqëndrueshme dhe si të tilla i refuzoj për faktin se veprimet e përshkruara në ankesë nuk paraqesin shkelje të dispozitës së nenit 32 të Ligjin Nr. 08/L-228 Për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës -së, me të cilën përcaktohet se: ” Kodi i Sjelljes për subjektet politike dhe mbështetësit e tyre dhe kandidatët ka për qëllim krijimin e kushteve në të cilat populli i Kosovës mund të zgjedhë përfaqësuesit e tij përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të mirë informuara në një atmosferë të tolerancës demokratike, paqes dhe respektit për sundimin e ligjit”.
Vendimin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.