Koalicioni VLEN edhe sot shpalosi të dhëna mbi dyshimet që sipas tyre familja e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti lidhet drejtpërdrejt me bizneset e njerëzve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas tyre, familja e Ali Ahmetit paratë e Sasho Mijallkovit i dërgon në duart e Vuçiqit. Sipas Bekim Fazliut, ky nuk është biznes por tradhti e interesave kombëtare shqiptare.
“Familja e Ali Ahmetit përmes kompanisë AS SENJAK më 17 shtator të këtij viti ka shitur një pako të madhe aksionesh te ALTA Banka e Beogradit, banë nën kontroll të drejtpërdrejtë të regjimit të Vuçiqit. Derisa flasim për patriotizëm, familja Ahmetit shet interesin ekonomik të fituar mbi kurrizin tonë dhe e fut botën serbe në sistemin bankar të shtetit dhe së dyti po këto aksione familja e Ali Ahmetit i kishte blerë një vit më parë më 24 tetor 2024 nga njeriu i të gjitha skemave kriminale në Maqeodni, Sasho Mijallkov”, deklaroi Bekim Fazliu, VLEN.
VLEN dyshon se në këtë skemë janë të përfshirë edhe Ziadin Sela dhe Arben Taravari.
“A është ky ai Fronti Evropian me para të Mijallkovit dhe kapital të Vuçiqit. A kjo është e ardhmja që i ofron shqiptarëve. E pyesim Ali Ahmeti, Ziadin Selën dhe Arben Taravarin. A bashkëpunoni të gjithë me Vuçiqin, apo Ali Ahmeti është vetëm zbatues i marrëveshjeve të përbashkëta?”, tha Bekim Fazliu, VLEN.
BDI ditë më parë i hodhi poshtë të gjitha këto pretendime, duke i cilësuar si shpifje dhe trillime që kanë për qëllim të godasin figurën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.