Ne duhet t’i ruajmë lidhjet tona, të jemi në komunikim të vazhdueshëm, duhet ta rikthejmë diasporën, dhe këtë do ta bëjmë përmes krijimit të shpejtë të Këshillit për diasporën, me një regjistër të qytetarëve,” u tha presidentja Siljanovska-Davkova mërgimtarëve maqedonas në Detroit gjatë vizitës në kishën “Shën Mari”.
“Uroj të jemi në kontakt të vazhdueshëm, sepse në botë ekziston një familje që quhet maqedonase, dhe e di se në jetë mund të ndryshoni gjithçka, përveç atdheut”, theksoi presidentja.
Ajo vuri në dukje faktin se qytetarët tanë mund të konkurrojnë kudo, madje edhe në Amerikën më konkurruese.
Ajo rrëfeu se gjatë qëndrimit në SHBA ka pasur mundësinë të takojë shumë biznesmenë të suksesshëm dhe tregojë se çfarë e ka impresionuar tek ata. “Kur dëgjoni njerëz si Kris Pavlovski, për shembull, i cili thotë se “Rambl” është shumë i rëndësishëm, por dëshiron që djali i tij të dijë të kërcejë valle dhe e mëson që është maqedonas, kjo më jep shpresë. Kur Majk Zafirovski këtë verë kërkoi të më vizitojë me një grup të madh njerëzish edhe kjo më jep shpresë se ne do të vazhdojmë së bashku”, tha Siljanovska-Davkova.

Duke përmendur se sofra e përgatitur nga bashkatdhetarët në kishën në Detroit me ushqime tradicionale maqedonase e kujtuan për fëmijërinë, tha se kjo është diçka që këta njerëz, në përpjekjen për ta ruajtur të pandryshueshmen e atdheut dhe për ta përcjellë te fëmijët e tyre, tregon se në këtë mënyrë ne vazhdojmë të ekzistojmë.
Sa i përket gjuhës maqedonase si trashëgimi, ajo theksoi se për fjalimin e saj në Kombet e Bashkuara, jo vetëm për shkak të tezave, por ndoshta edhe për shkak të melodisë së gjuhës, shumë veta i kishin thënë se tingëllonte si këngë.
Ajo sqaroi se po përpiqet t’u shpjegojë të gjithëve se ne nuk kërkojmë ndonjë status ekskluziv, por kërkojmë të trajtohemi si të gjithë të tjerët.
Sigurisht, shtoi ajo, ashtu siç të gjithë janë krenarë për identitetin dhe atdheun e tyre, pashë që edhe ju jeni. “Uroj të shihemi sa më shpesh, të kemi kontakte dhe të mos e harroni atdheun. Ju faleminderit që më bëni të ndihem si në shtëpi”, tha presidentja Siljanovska–Davkova në fund të fjalimit të saj para mërgimtarëve.
Ajo, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, dhe delegacionin e Maqedonisë, mori pjesë edhe në liturgjinë e mbajtur në kishën maqedonase në Detroit.

Presidentja vizitoi edhe shkollën e së dielës që ndodhet në oborrin e kishës, të cilën e ndjekin 120 fëmijë në gjuhën maqedonase. “Sot, kur e pashë atë ambient të mrekullueshëm me fëmijë e libra, pikërisht në oborrin e kishës, në shtëpinë, në vendin e shenjtë të kishës, jam e sigurt se kemi një shans për të ekzistuar”, theksoi presidentja Gordana Siljanovska–Davkova.