Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj një të 28 vjeçari nën dyshimet që përmes rrjeteve sociale ka kërcënuar kryetarin e komunës së Negotinës, transmeton Portalb.mk.
“Kallëzim penal kundër M.J. (28) nga Negotina për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “rrezikim sigurie” sipas nenit 144, paragrafët 4 dhe 5, dhe “zhvatje” në tentativë sipas nenit 258 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut, e cila më 19 shtator e kishte arrestuar të dyshuarin.
Ai në fillim të shtatorit kishte kërcënuar kryetarin dhe familjen e tij përmes rrjeteve sociale, duke tentuar të zhvaste para nga kryetari. Kërcënimet e tij kishin vazhduar edhe ndaj Ministrisë për punë të Brendshme, komunë së Negotinës dhe një gazetari.
Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike në Kavadarci më 21 shtator ka filluar procedurë hetimore ndaj një personi nga Negotina për tentativë zhvatjeje dhe rrezikim të sigurisë.
I dyshuari, siç informon Prokuroria, më 2 shtator nga një profil anonim në Facebook i ka shkruar kryetarit të komunës së Negotinës dhe me kërcënime serioze dhe të drejtpërdrejta ndaj tij dhe familjes së tij ka tentuar ta detyrojë t’i paguajë 3.000 euro.