PZAP-ja gjobit LDK-në për fushatën që bëri Rama nga foltorja e Kuvendit Komunal

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur LDK-në me 5 mijë e 100 euro për fjalimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

PZAP ka vlerësuar se Rama ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit Komunal për votë.

“Sipas vlerësimit të panelit konstatohet se kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shfrytëzuar hapësirat e brendshme të komunës së Prishtinë, respektivisht ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit Komunal të Prishtinës, u bënë thirrje qytetarëve që me datën 12 tetor pikërisht për ditën e votimit që të reflektojnë se për kënd duhet të votojnë e me qëllim të krijimit të një shumice në asamble, këtë deklarim e bënë gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025, me qëllim të përfitimit të votave, e duke qenë në garë për një mandat për kryetar të Prishtinës”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së.

E, Rama nga foltorja më 24 shtator pati kritikuar opozitën, ndërkohë që bëri fushatë për zgjedhjet lokale.

“Ftoj qytetarët e kryeqytetit të reflektojnë, që me 12 tetor të ua tregojmë vendimin secilit asamblist që e ka bllokuar dhe vazhdon ta bllokoj këtë proces demokratik të zhvillimit dhe transformimit të kryeqytetit me votën e tyre, prandaj me 12 tetor urojmë ta kemi një shumicë me të cilën do ta vazhdojmë transformimin e qytetit ashtu siç kemi bërë këto 4 vite. Ju uroj ditë të mirë sot dhe fitore me 12 tetor”, pati thënë Rama.

Pas ankesës së VV-së, PZAP-ja po ashtu ka gjobitur me 800 euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e PDK-në me 500 euro pasi kandidatë të tyre për asamble komunale kanë vendosur postera zgjedhorë në hapësirën e parkingut nëntokësor tek nënkalimi në Ferizaj, i cili menaxhohet nga ndërmarrja publike N.P.L “Ambient”.

Pas ankesës së PDK-së, PZAP-ja ka gjobitur edhe Iniciativën Qytetare për Skenderaj (Kandidati Sokol Halili) me 10 mijë euro pasi në Facebook ka postuar video që përmbanin gjuhë kërcënuese, fyese dhe nxitje të urrejtjes ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të komunës, Sami Lushtaku, duke përdorur shprehjet : kriminel, hajn, banda kriminale, spiun, bandit, arkitekt i të gjitha krimeve kurse në një debat televiziv është shprehur se “Sami Lushtaku është i njohur për famën e tij, karakteristikën e tij tipike kriminele ashtu siç është i njohur Milan Radojçiq në veri”.

Përvec gjobës, Halili është urdhëruar që të largoj videon nga rrjetet sociale.

PZAPja e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e VV-së ndaj subjektit politik “për Drenasin Kampion Ramiz Lladrovci” në lidhje me gjuhën që ka përdorur ndaj kandidates së VV-së për kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci.

Si të pasafatshme PZAP-ja e ka vlerësuar një ankesë të subjektit politik “për Drenasin Kampion Ramiz Lladrovci” ndaj PDK-së në Drenas e një tjetër e ka refuzuar si e pabazuar.

Të pasafatshme PZAP-ja e ka vlerësuar edhe ankesën e Kushtrim Kadriut, kryetarit të Lëvizjes Qytetare “Vatra” kundër VV-së në Gjilan.

PZAP ka pranuar ankesën e PDK-së ndaj LDK-së derisa e ka dënuar me 2 mijë e 500 euro këtë subjekt politik pasi kandidati i saj për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar në profilin e tij zyrtar një video i cili shërben si paralajmërim për pjesëmarrjen e tij në një emision, video të realizuar në hapësirat  e brendshme të komunës.