Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmshi u takua sot me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rita Kolumbia. Në takim, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë ministritë e resorit, përmes projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta që synojnë promovimin e zhvillimit ekonomik dhe social.
Fokusi i bisedës ishte forcimi i pozitës së grave në shoqëri, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik, sipërmarrësisë dhe zhvillimit të aftësive udhëheqëse. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe politikave për barazinë gjinore dhe parandalimin e diskriminimit, si parakusht kryesor për rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Në të njëjtën kohë, u diskutuan edhe iniciativat për zhvillimin e politikave për të mbështetur të rinjtë, duke siguruar qasje më të madhe në arsim cilësor, trajnime në shkathtësitë moderne, mundësi punësimi dhe përfshirje aktive në proceset e vendimmarrjes.
Ministri Durmshi dhe Kolumbia biseduan edhe për rëndësinë e Samitit të dytë botëror për zhvillim social, i cili do të mbahet nga 4 deri më 6 nëntor në Doha, Katar. Samiti do të jetë platformë globale për të rinovuar dhe përforcuar angazhimet kryesore të Programit të Veprimit të Kopenhagës – çrrënjosja e varfërisë, krijimi i vendeve të denja të punës, promovimi i gjithëpërfshirjes sociale dhe barazisë.
Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, sektori privat dhe bashkësia akademike. Për më tepër, do të miratohet Deklaratë politike që do t’i detyrojë vendet anëtare të ndërmarrin hapa konkretë në avancimin e politikave sociale dhe në përmbushjen e Agjendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.
Në takim, u shpreh angazhim i përbashkët për të intensifikuar partneritetin midis Qeverisë dhe Kombeve të Bashkuara, me qëllim të mbështetjes së pavarësisë ekonomike të grave, krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve përmes iniciativave konkrete.