Mexhiti: Në Fushë Tophanë po ndërtohet xhamia më e madhe në Maqedoni

Kandidati i VLEN për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se në lagjen Fushë Tophanë është duke u ndërtuar xhamia më e madhe në Maqedoni, e cila do të shërbejë si qendër shpirtërore dhe arkitektonike për mijëra besimtarë.

Sipas tij, hapja solemne e objektit është planifikuar për muajin shkurt 2026, para fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, me qëllim që besimtarët ta kenë mundësinë të falin edhe namazin e Bajramit në këtë xhami madhështore.

Xhamia do të ketë kapacitet për mbi 3000 besimtarë, me hapësirë prej 1500 m² në brendësi dhe 1500 m² në hapësirat e jashtme. Projekti përfshin gjithashtu një amfiteatër, 24 zyra funksionale dhe parkim nëntokësor, duke ofruar kushte moderne për besimtarët dhe vizitorët.

“Ky monument i arkitekturës moderne dhe shpirtërore do ta zbukurojë Çairin dhe Shkupin, duke mbetur një vlerë e përjetshme për brezat e ardhshëm,” theksoi Mexhiti. (INA)