Janë bërë dy vjet që prej se ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. E edhe pse kanë kaluar dy vjet dhe përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të dyshuar janë ende të lirë në Serbi.
Grupi i organizuar pati vrarë Bunjakun në një pritë në veri, ndërsa gjatë ikjes ishte mobilizuar në fshatin Banjskë. Pamjet nga droni kanë kapur fytyrat e dhjetëra të dyshuarve, ndërsa ato kanë shfaqur edhe momentet e ikjes së tyre.
Policia e Kosovës pati kapur arsenal armësh pas sulmit për të cilin Kosova e akuzon direkt shtetin e Serbisë.
Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Por që të gjithë ndodhen në Serbi.
Madje ish-nënkryetari i Listës Serbe ishte lënë i lirë pasi ishte marrë në pyetje në Beograd në tetor të 2023-s.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës e t’ia bashkojnë R. së Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe të akuzuar të tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar, pasi janë në arrati.
Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve – Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Shmigiq, Veljko Gjorgjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Kërstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Milan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviqi dhe kompania e Steviqit RAD DOO. Veprat penale në aktakuzë: “Kryerja e veprës terroriste” “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” “Shpërlarja e parave” “Vrasje e rëndë”.
Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.
Në këtë dyvjetor, Policia e Kosovës ka organizuar aktivitete për shënimin e dyvjetorit të rënies së Afrim Bunjaku. Udhëheqësit shtetërorë do të bëjnë homazhe te varri i tij e më pas do të ketë edhe akademi përkujtimore.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar Afrim Bunjakun në dyvjetorin e rënies së tij, duke thënë se sakrifica e policit mbetet kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova.
Sipas Abdixhikut, Bunjaku ishte njeri me vlera të mëdha që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parime e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik.
Deklarimi i Abdixhikut:
“Sot, shënohen dy vite nga rënia në detyrë e policit të Republikës së Kosovës, heroit, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën duke mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin e vendit tonë.
Afrim Bunjaku, u vra nga pjestarë të një grupi terrorist të sponzorizuar e komanduar nga Serbia, derisa po ushtronte punën, duke dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është mbi çdo gjë personale.
Por Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm një polic në krye të detyrës. Ishte një njeri me vlera të mëdha, që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parimet e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik.
Sakrifica e tij mbetet një kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe për vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar përballë dhunës dhe përpjekjeve për destabilizim. Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë.
Afrim Bunjaku është mishërim i asaj ç’do të thotë t’i shërbesh shtetit me nder. Ai jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi.
Nderim i përjetshëm për jetën dhe veprën e tij!”
Sindikata e Policisë së Kosovës e ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, në dy vjetorin e rënies së tij.
Në komunikatën e lëshuar nga sindikata thuhet se sakrifica e tij mbetet përjetësisht dëshmi e trimërisë së policëve të Kosovës.
“Ai ra në krye të detyrës, duke mbrojtur ligjin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve tanë. Sakrifica e tij mbetet përjetësisht dëshmi e trimërisë dhe përkushtimit të policëve tanë ndaj vendit dhe popullit”, tha Sindikata përmes një reagimi në Facebook derisa shprehu ngushëllime familjes, kolegëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
Në këtë dyvjetor, Policia e Kosovës ka organizuar aktivitete për shënimin e dyvjetorit të rënies së Afrim Bunjaku. Udhëheqësit shtetërorë do të bëjnë homazhe te varri i tij e më pas do të ketë edhe akademi përkujtimore.
Në dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, liderët institucionalë dhe partiakë kanë nderuar heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryekuvendari, Dimal Basha, nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrat në detyrë Xhelal Sveçla, Faton Peci e Hajrullah Çeku si dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë vendosur kurora lulesh pranë varrit të heroit, Afrim Bunjaku në varrezat e fshatit Samadrexhë. Ata e kanë vlerësuar lart veprën e tij, duke thënë se ai sakrifikoi jetën për Kosovën.
E edhe pse kanë kaluar dy vjet dhe përgjegjësinë për sulmin sulmi terrorist në Banjskë, e ka marrë Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të dyshuar janë ende të lirë në Serbi. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, dhe të akuzuar të tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar
Ambasada Gjermane në Kosovë e ka quajtur të papranueshme pandëshkueshmërinë e autorëve të Banjskës.
Në një postim në faqen e tyre zyrtare në Facebook, Ambasada ka thënë se janë bërë dy vjet nga sulmi i tmerrshëm në Banjskë megjithatë, Milan Radojçiq i cili e ka pranuar që ishte udhëheqës i këtij grupi, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.
“Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vënë drejtësi. Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme”, ka shkruar Ambasada.
Tutje është theksuar se është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejshme.
Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur respektin e përjetshëm për sakrificën e rreshterit policor Afrim Bunjaku, që u vra në sulmin terrorist në Banjskë dy vjet më parë.
“Sot kujtojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën sublime të “Heroit të Kosovës”, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në përvjetorin e rënies, shpreh respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Britania e Madhe i ka bërë thirrje autoriteteve serbe që t’i kapin dhe t’i sjellin sa më shpejt para drejtësisë autorët e sulmit terrorist në Banjskë të 24 shtatorit të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë kapur dhe nuk janë sjellur para drejtësisë. Ne sërish i bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë për këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Britanisë në Kosovë.
Sot është dyvjetori i sulmit terrorist në Banjskë. Ambasada britanike ka vlerësuar lartë Policinë e Kosovës.
“Sot është përvjetori i dytë i sulmit të tmerrshëm në Banjskë. Ne vazhdojmë të mbajmë zi për humbjen e zyrtarit policor Afrim Bunjaku, gjatë atij sulmi. Ne shprehim homazhe për profesionalizmin dhe trimërinë e Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator të vitit 2023, dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre të duruar në hartimin e një aktakuze”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.