Sean ‘Diddy’ Combs kërkon dënim më të shkurtër për akuzat e prostitucionit

Sean “Diddy” Combs po përballet me një moment vendimtar në gjyqin e tij në New York, ku avokatët kërkuan që ai të dënohet me jo më shumë se 14 muaj burg për akuzat e Aktit Mann mbi prostitucionin. Një vendim i tillë do t’i siguronte lirimin pothuajse të menjëhershëm.

Në kërkesën e tyre, ata theksuan se Combs ka qëndruar pa incidente në burg, ka vuajtur mbi një vit në kushte të rënda dhe se reputacioni i tij tashmë është shkatërruar.

Dosja përfshinte rreth 70 letra mbështetjeje nga familjarët dhe miqtë, përfshirë nënën e tij Janice dhe fëmijët, të cilët e përshkruajnë si shtyllë të rëndësishme të familjes, shkruan DailyMail.

Megjithatë, prokurorët kanë bërë të ditur se do të kërkojnë një dënim shumë më të gjatë, duke argumentuar se provat treguan një model të dhunës dhe shtrëngimit.

Dëshmi tronditëse erdhën nga ish-partneret e tij, përfshirë Cassie Ventura, e cila përshkroi maratona seksuale të mbushura me drogë dhe presion.

Mbrojtja pranoi marrëdhënie të vështira dhe dhunë në disa raste, por mohoi akuzat për trafikim seksual, duke e përshkruar Combs si një njeri me të meta serioze por jo si kriminel.

Në korrik, juria e shpalli të pafajshëm për akuzat më të rënda të konspiracionit dhe trafikimit, por e fajësoi për dy akuza të Aktit Mann, të cilat mbartin deri në 20 vjet burg.

Dënimi i tij do të shpallet më 3 tetor, ndërsa përplasja mes prokurorisë dhe mbrojtjes vazhdon të jetë një nga betejat më të bujshme ligjore në industrinë e muzikës.