A mund t’i rrëzojë NATO avionët luftarakë rusë?

Zyrtarët e NATO-s do të mblidhen më 23 shtator për një takim të Këshillit të Atlantikut Verior (NAC), të thirrur nga Estonia pas një inkursioni të avionëve luftarakë rusë në hapësirën e saj ajrore javën e kaluar.

Ky incident dhe shkeljet e mëparshme të vendeve të tjera të NATO-s nga dronët rusë – veçanërisht ai mbi Poloninë më 10 shtator – e kanë lënë aleancën duke kërkuar reagimin e duhur.

Presidenti çek Petr Pavel, ushtarak karriere dhe ish-zyrtar i lartë i NATO-s në rolin e kryetarit të Komitetit Ushtarak, madje sugjeroi në një deklaratë për mediat çeke më 20 shtator se avionët rusë duhet të rrëzohen nëse është e nevojshme.

Në rastin e Polonisë, disa nga dronët u rrëzuan nga forcat ajrore polake dhe të NATO-s. Ndërsa në Estoni, avionët rusë u shoqëruan jashtë hapësirës ajrore nga avionë suedezë, finlandezë dhe italianë – këta të fundit mbajnë aktualisht detyrën e policimit ajror të Baltikut bashkë me Spanjën dhe Hungarinë.

Zyrtarë të NATO-s që folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti thanë se është shumë më e lehtë të merret leje për të qëlluar një dron pa pilot, sidomos nëse shihet se po i drejtohet infrastrukturës kritike, sesa një avion me pilot.

A mund të qëllohet?

NATO është një aleancë mbrojtëse prej 32 shtetesh sovrane. Kjo do të thotë se secili vend vendos vetë si ta mbrojë hapësirën e tij ajrore. Por zakonisht zbatohet një qasje “kujdesi mbi gjithçka”. Me fjalë të tjera: mos qëllo menjëherë.

Situata ndryshon kur bëhet fjalë për misione nën ombrellën e NATO-s, siç janë tetë grupet luftarake në krahun lindor të aleancës dhe misioni i policimit ajror të Baltikut, që funksionon që nga anëtarësimi i Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë në vitin 2004. Aleatët e NATO-s me avionë luftarakë patrullojnë me radhë çdo katër muaj hapësirën ajrore të tri vendeve baltike, të cilat nuk kanë forca të tyre ajrore.

Në raste të tilla, rregullat e angazhimit përcaktohen nga Këshilli i Atlantikut Verior (NAC), që është organi më i lartë politik vendimmarrës i aleancës.

Vendimet merren me unanimitet, ndërsa aspektet ushtarake zbatohen nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR). Ky post mbahet gjithmonë nga një gjeneral amerikan – aktualisht gjenerali Alexus G. Grynkewich, i cili mori detyrën në korrik. Çdo mision nën komandën e tij ka rregullat e veta specifike të angazhimit. Ajo që i bashkon të gjitha është fakti se ato nuk bëhen publike, me qëllim që kundërshtarët të mbeten në pasiguri.

Ajo që e bën situatën edhe më të ndërlikuar është fakti se NATO si organizatë ka pak mjete nën komandën e saj direkte. Në vend të kësaj, shumica e aleatëve i vënë kapacitetet e tyre kombëtare në dispozicion të SACEUR-it, por duke ruajtur kufizimet e tyre kombëtare.

Një shembull hipotetik: nëse avionët italianë kërkohen të rrëzojnë dronë mbi Poloni si pjesë e operacionit të ri të aleancës “Eastern Sentry”, dikush në Romë duhet të japë dritën jeshile.

Në varësi të marrëveshjes, kjo mund të jetë përgjegjësi e shefit të ushtrisë, ministrit të mbrojtjes apo edhe kryeministrit. Në raste të tjera, vendimi i lihet SACEUR-it ose komandantëve të tij.

Siç është theksuar, pragu për hapjen e zjarrit është shumë i lartë, veçanërisht ndaj avionëve rusë me ekuipazh. Avionët e NATO-s që marrin pjesë në misionin e policimit ajror të Baltikut nuk pritet të qëllojnë ndaj tyre.

Dy zyrtarë të NATO-s i thanë Radios Evropa e Lirë se tre MiG-ët që qëndruan 12 minuta në hapësirën ajrore të Estonisë më 19 shtator nuk paraqisnin një kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin. Ata thanë se, më tepër, bëhej fjalë për një provokim për të testuar reagimin e aleancës dhe se avionët e NATO-s bënë gjënë e duhur duke i shoqëruar jashtë.

Por mençuria e këtij veprimi po debatohet tani në publik. Si presidenti çek, edhe kryeministri polak Donald Tusk dhe ministrja lituaneze e mbrojtjes Dovile Sakaliene kanë sugjeruar se mund të bëhet e nevojshme të rrëzohen avionët rusë.

Pse hapi zjarr Turqia

Shembulli i Turqisë, e cila rrëzoi një avion rus Sukhoi-24M pranë kufirit turko-sirian në vitin 2015, përmendet shpesh. Avioni kishte shkelur hapësirën ajrore turke për 17 sekonda gjatë kulmit të luftës në Siri, pasi ishte paralajmëruar disa herë të ndryshonte kurs.

Ky ishte një rast më i thjeshtë. Turqia mori vetë vendimin të përdorte forcat e saj ajrore, ashtu siç e pa të arsyeshme.

Ndërsa tensionet mes Ankarasë dhe Moskës ishin të larta dhe kjo e fundit vendosi sanksione të menjëhershme, gjashtë muaj më vonë marrëdhëniet u përmirësuan, pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shprehu keqardhje. NATO u rreshtua në krah të Ankarasë, por kërkoi kujdes dhe dislokoi më shumë avionë AWACS (sisteme ajrore të paralajmërimit dhe kontrollit) në Turqi.

Ashtu si Turqia atëherë dhe Polonia në fillim të shtatorit, edhe Estonia ka kërkuar konsultime sipas nenit 4 të NATO-s, të cilat po zhvillohen më 23 shtator. Tallini pritet të theksojë se kjo është shkelja e pestë e hapësirës ajrore nga Rusia këtë vit, se dy avionët kishin fikur transponderët dhe nuk komunikuan me kontrollin ajror estonez.

Kjo sjellje e avionëve rusë po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në rajonin e Detit Baltik.

Zyrtarët e NATO-s besojnë se disa aleatë do ta përsërisin paralajmërimin se herën tjetër mund të detyrohen të qëllojnë. Por rregullat e angazhimit mund të ndryshohen edhe në mënyra të tjera, si lejimi i avionëve të aleancës t’u afrohen më shumë avionëve kundërshtarë ose të qëllojnë të shtëna paralajmëruese./REL