Hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore, 40 euro gjobë për këmbësorët që përdorin celularë në vijat e bardha

Ndryshimet në Ligjin për sigurinë në komunikacion hyjnë në fuqi të premten. Ligji është publikuar në gazetën Zyrtare dhe nga 26 shtatori do të fillojnë të zbatohen dispozita më të rrepta për pjesëmarrësit në komunikacion. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përdorimit të pajisjeve elektronike gjatë lëvizjes në trafik. Kështu, kalimi I këmbësorëve në vijat e bardha duke përdorur telefon celular do të dënohet me 40 euro, ndërsa për shoferët e skuterëve, traktorëve dhe motoçikletave që vozisin dhe përdorin pajisje elektronike, gjoba është 50 euro.

NENI 116 I LIGJIT

“Këmbësori është i detyruar të lëvizë me kujdes, pa përdorur pajisje elektronike… që mund t’i ulë vëmendjen gjatë kalimit të rrugës dhe shtegut të biçikletave”.

Ndërkaq nga një janari I vitit 2026 pritet të hyjë në përdorim edhe sistemi “Qyteti i Sigurt (Safe City)”, i cili me video-mbikëqyrje do të identifikojë shkeljet e komunikacionit. Megjithatë, për këtë është e nevojshme të miratohet edhe Ligji për shkeljet, i cili ende nuk është shqyrtuar në Kuvend.