Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është kërcënuar nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”.
Kurti ka thënë se ky kërcënim nuk ka qenë i adresuar ndaj tij.
“Nuk frikësohem, jam në punë dhe në detyrë përditë. Ata që më kanë kërcënuar s’mund ta kenë pasë me mua por me dikë tjetër. Për gjendjen e sigurisë, nuk është që unë mund ta vlerësoj atë, janë organet kompetente dhe është siguria dhe mbrojtja e kryeministrit që e bën një gjë të tillë”.
Ai theksoi nga Mitrovica se kërcënimi ishte për Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tij, janë në prag të vendimit për dekretin e presidentit, Hashim Thaçi.
“Por ata që më kanë kërcënuar mua, nuk mund ta kenë pasur me mua, sepse e dinë që tek unë nuk funksionojnë kërcënimet. Ata e kanë pasur me dikë tjetër; me Gjykatën Kushtetuese sepse duket që është në panik presidenti të cilit po i humbet rasti”.
“Dekretet e presidentit nuk mund të shndërrohen në shkrim të Kushtetutës. Nëse Kushtetuta ngelet e heshtur për çështje të caktuara, nuk mund të flasë presidenti për këtë gjë”, është shprehur Kurti.