Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës dhe lider i lëvizjes “Për Maqedoninë tonë” (ZNAM), deklaroi se do të kandidojë për një mandat të tretë si kryetar komune, sepse dëshiron të përfundojë projektet që tashmë i ka nisur. Në një intervistë për TV Alfa, ai tha se qytetarët do të vendosin nëse ai ka “lodhur” me prezencën e tij në skenën lokale, por ai beson në punën që ka bërë.
“Nëse dikujt i shkon mirë puna, shpresoj që qytetarët ta njohin dhe ta mbështesin këtë. Në të kundërtën, do të vazhdoj jetën time të përditshme dhe aktivizmin politik, sepse ZNAM sapo ka nisur rrugëtimin në skenën politike – partia ekziston vetëm një vit e gjysmë”, tha Dimitrievski.
Ai kujtoi se në mandatin e parë ka stabilizuar financiarisht komunën më të zhytur në borxhe, ndërsa në mandatin e dytë janë realizuar projekte kapitale, si në zona urbane ashtu edhe në fshatra. Ndjehet krenar për ndërtimin e qendrës shpërndarëse të “Lidl” në Kumanovë, të cilën e cilësoi si investimin më të madh të një kompanie të huaj në vend.
Dimitrievski konfirmoi se për zgjedhjet lokale të ardhshme, ZNAM do të ketë mbështetje nga VMRO-DPMNE, e cila nuk do të ketë kandidatë të vet në Kumanovë dhe në komunën Qendër, por do të përkrahë kandidatët e propozuar nga lëvizja e tij.
“Ne si ZNAM nuk kemi kandidat për të gjitha komunat, sepse nuk duam vetëm të marrim pjesë – duam të fitojmë. Kur ke mbështetjen e një partie serioze si VMRO-DPMNE, ajo ka rëndësi”, shtoi ai.
Reforma në drejtësi dhe punën e ministrave të ZNAM
Në lidhje me punën e ministrave të partisë së tij në Qeveri, Dimitrievski tha se është i kënaqur me angazhimin e tyre, veçanërisht me ministrin e Drejtësisë, Igor Filkov, i cili sipas tij ka përgatitur 22 projektligje, por vuri në dukje se miratimi i ligjeve është proces i Kuvendit dhe Qeverisë.
“Nuk mund të përfundosh diçka për një vit e gjysmë që s’është bërë për 8-9 vjet. Ndryshimet në Kodin Penal të bëra për 48 orë, tani na kanë sjellë në një situatë ku krimet janë bërë, por fajtorët nuk mund të ndëshkohen”, deklaroi ai.
Duke folur për ministrinë e Administratës Publike, të udhëhequr nga Goran Minçev i ZNAM, ai përmendi si sukses heqjen e balancerit dhe miratimin e disa ligjeve të rëndësishme.
“Gjithmonë ka vend për përmirësim, por në përgjithësi jam i kënaqur me punën e ministrave tanë. Nëse ka rikonstruim të mundshëm të Qeverisë, ajo është përgjegjësi e kryeministrit dhe ai duhet të japë sqarime para shumicës parlamentare”, tha ai.
Qëndrime për zgjedhjet dhe zhvillimet politike
Dimitrievski u shpreh se nuk pret që BDI të ketë rezultate më të mira se koalicioni VLEN në zgjedhjet e ardhshme, për aq kohë sa partia e Ahmetit nuk reformohet nga brenda dhe nuk largohet nga njerëzit që, sipas tij, ishin pjesë e krimit dhe korrupsionit.
Gjithashtu, ai u deklarua i hapur për të mbështetur platformën nacionale të propozuar nga lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, me kusht që të mos rrezikohet gjuha, identiteti, kultura dhe vetëqenia kombëtare e maqedonasve.
Në fund, ai komentoi edhe për zjarret e qëllimshme që kanë ndodhur në Kumanovë dhe vende të tjera, duke thënë se ekziston dyshim për skenarë të qëllimshëm në prag të zgjedhjeve, dhe se pajtohet me kryeministrin Mickoski që kjo mund të jetë pjesë e një forme të sulmeve hibride.
“Ky fenomen ndodh gjithmonë para zgjedhjeve. Pas tyre, gjithçka qetësohet. Por problemi i vërtetë është mungesa e një sistemi funksional dhe dënimeve efektive – politikat ndëshkuese janë katastrofale”, tha Dimitrievski.