Kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti, gjatë një vizite në Serovë u prit në konakun e familjes së Haxhi Kemal Nezirit, ku u zhvillua një bashkëbisedim me banorët e zonës.
“Me banorët bashkëbiseduam për investimet e shumta infrastrukturore që po realizohen në Çair: ndërtimin e rrugëve moderne, rrjetin nëntokësor, rrjetin atmosferik dhe projekte të tjera që e përmirësojnë përditshmërinë e qytetarëve tanë”, shkroi Mexhiti.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte problemi i parkingjeve në komunë.
“Çairi është komuna me dendësinë më të madhe në vend, dhe mungesa e hapësirave për parkim ka qenë prej vitesh ndër sfidat kryesore. Ne kemi ndërmarrë hapa konkretë për ta zgjidhur këtë problem, duke e kthyer atë nga një shqetësim i përhershëm në një zgjidhje të përhershme”, theksoi ai.
Mexhiti shtoi se përmes këtyre investimeve, Çairi po transformohet në një vend ku cilësia e jetës po rritet për çdo familje.
“Çairi po merr formën e një komune bashkëkohore, ku cilësia e jetesës rritet dhe çdo familje ndjehet e mbështetur nga puna jonë”, deklaroi ai, duke falënderuar familjen Neziri për mikpritjen.