Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, sot ka promovuar Strategjinë e zhvillimit të arsimit 2025-2030, e cila parasheh ndërtim të shkollave të reja si dhe mësim me një ndërrim.
Kryetari Kasami tha se në Strategjinë 2025-2030 Komuna e Tetovës ka paraparë ndërtimin e objekteve të reja shkollore dhe anekse që do të mundësojnë mësim me një ndërrim.
“Strategjia e Zhvillimit të Arsimit për periudhën 2025-2030, e shtruar për debat publik, paraqet një platformë gjithëpërfshirëse për transformimin, për reformimin dhe për zhvillimin e arsimit tonë, sipas një modeli të frytshëm menaxhimi dhe vlerësimi. Nëpërmjet kësaj strategjia zhvillimi, Komuna e Tetovës do të investojë fuqishëm në arsim me ndërtimin e shkollave të reja dhe objekteve ndihmëse. Do të ndërtohet SHMT “Gjoce Stojçeski” në Tetovë, SHFK “Rilindja” në Sellcë dhe salla sportive për nxënësit. Projekti përfshin edhe dy pishina të mbyllura për notim pranë SHFK “Kirili dhe Metodij” dhe “Naim Frashëri””.
“Komuna e Tetovës ka paraparë ndërtimin e objekteve të reja shkollore dhe anekse që do të mundësojnë mësim me një ndërrim. Do të ndërtohet objekt i ri për shkollën fillore “Bratstvo-Migjeni”, ndërsa ndërtime shtesë do të ketë në SHFK “Naim Frashëri”, “Kirili dhe Metodi”, si dhe ndërtimin e objekteve në lagjen “Jellak” dhe “Jashtë Vardarit”.
Në lagjen “Jellak” do të ndërtohen një objekt i shkollës fillore dhe parashkollore si dhe Qendra Komunale për Vlerësim dhe Mbështetje në nivel rajonal”, njofton Kasami.
Më tej ai thekson se këto janë vetëm një pjesë e ndërtimeve dhe modernizimit të arsimit.
“Ne do të ofrojmë për nxënësit tonë një arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt inovacionit, duke krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës, ku çdo nxënës të mund të zhvillojë potencialin e tij të plotë, të kultivojë vlerat e qytetarisë aktive dhe të kontribuojë në përparimin e shoqërisë”, ka njoftuar Kasami.