Bashkimi Demokratik për Integrim, sot përmes një komunikate ka reaguar përsëri lidhur me ndikimin e “botës serbe” që po rrezikon shtetësinë dhe të ardhmen europiane të vendit.
Reagimi i plotë i BDI-së:
Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të madh ndjek zhvillimet e fundit që lidhen me intensifikimin e ndikimit politik e kulturor të “Botës serbe” në Maqedoninë e Veriut, përmes përkrahjes së hapur të qeverisë aktuale të drejtuar nga VMRO-DPMNE dhe Ivan Stoillkoviq.
Siç ka patur mundësi opinioni të sheh në mënyrë të hapur dhe të qartë se:
• Në territorin e Maqedonisë së Veriut po mbahen gjithnjë e më shpesh manifestime të organizuara nga Beogradi, ku promovohen narrativa historike të “Serbisë së Vjetër” dhe të ashtuquajturit “çlirimtarë serbë”, duke fyer identitetin dhe shtetësinë e vendit.
• Përvjetorë dhe ceremoni të tilla madje po organizohen në të njëjtën ditë me festat shtetërore të Maqedonisë së Veriut, konkretisht në ditën e pavarësisë së vendit, duke krijuar absurditetin e dy “pavarësive” paralele.
• Përmes vendosjes së pllakave përkujtimore për vojvodën serb Vuk, si dhe me pjesëmarrjen e strukturave paramilitare serbe në ceremoni, po legjitimohet hapur shovinizmi serb, ndërkohë që e njëjta qeveri e VMRO-së e lufton me histeri çdo përpjekje të shqiptarëve për të ngritur një monument të vetin.
E gjithë kjo zhvillohet me praninë zyrtare të përfaqësuesve të shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe nën hijen e një marrëveshjeje të fshehtë me Serbinë, marrëveshje e cila asnjëherë nuk është publikuar, as nuk ka kaluar në Parlament.
BDI paralajmëron se ky standard i dyfishtë, ku për marrëdhëniet me Bullgarinë hapet panik kombëtar, ndërsa për marrëdhëniet me Serbinë mbyllen sytë ndaj revizionizmit historik, rrezikon jo vetëm integritetin shtetëror, por edhe perspektivën euroatlantike të vendit.
Veçanërisht shqetësuese është roli i zëvendëskryeministrit Ivan Stoiljkoviç, i cili prej fillimit të viteve ’90 ka qenë kundërshtar i pavarësisë së Maqedonisë dhe sot, me retorikë antishqiptare e antibullgare, vepron si zëdhënës i interesave të “botës serbe” në Shkup.
BDI kërkon transparencë të menjëhershme dhe ndërprejen e çdo forme legjitimimi të përpjekjeve serbe për revizionizëm historik në vend, si dhe rikthimin e fokusit të qeverisë drejt prioriteteve të vërteta shtetërore: integrimit europian dhe garantimit të barazisë ndëretnike.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të mbetet i palëkundur në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe të ardhmes euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.