Anna Wintour, kryeredaktorja legjendare e Vogue që po largohet nga posti, më në fund ka dhënë mendimin e saj për filmin e famshëm “The Devil Wears Prada”, komedinë e vitit 2006 ku Meryl Streep luan rolin e një redaktoreje të rreptë mode, personazh që prej kohësh është parë si i frymëzuar nga vetë Wintour.
Filmi, i bazuar në romanin e Lauren Weisberger (dikur asistente e Wintour), rrëfen historinë e një gazetareje të re (Anne Hathaway), e cila punësohet si asistente e redaktores së revistës fiktive “Runway”.
“Shkova në premierë e veshur me Prada, pa pasur fare ide se për çfarë do të ishte filmi. Industria e modës ishin shumë të kujdesshëm me mua për këtë film, kishin frikë se mos më paraqiste në një dritë të vështirë”, ka thënë Wintour në një bisedë me David Remnick për podkastin e revistës The New Yorker, ka raportuar The Guardian.
Kur Remnick sugjeroi se filmi ishte “paksa sikur të ishte vizatimor”, Wintour pranoi duke thënë se: “Po, ishte një karikaturë”.
Megjithatë, ajo u befasua nga mënyra se Streep e luajti rolin.
“Mu duk shumë argëtues. Më bëri të qeshja shumë. Miuccia Prada dhe unë flasim shpesh për të, dhe i them: ‘Epo, në fakt ishte shumë i mirë për ty’”, ka thënë ajo.
Wintour ka shtuar se filmi kishte shumë humor dhe shumë finesë.
“Kishte Meryl Streep. Dua të them, edhe Emily Blunt, të gjithë ishin fantastikë. Në fund, mendova se ishte një ‘goditje’ e drejtë”, ka thënë ajo.
Streep u nominua për çmim “Oscar” për këtë rol, ndërsa filmi u kthye në sukses të madh , fitoi 326 milionë dollarë nga një buxhet prej vetëm 40 milionësh dhe mbetet një pikë referimi në kulturën pop.
Për vite me radhë, Wintour ka shmangur pyetjet për ngjashmëritë e saj me personazhin e Miranda Priestly.
Vitin e kaluar, në një intervistë për BBC gjatë shfaqjes së versionit muzikor në West End, ajo tha se pyetjes duhet ti përgjigjen njerëzit që rrinë me të.
“Është për publikun dhe për njerëzit me të cilët punoj që të vendosin nëse ka ndonjë ngjashmëri mes meje dhe Miranda Priestlyt”, pati thënë aktorja.
Ndërkohë, vazhdimi i filmit në fjalë është duke u xhiruar në New York, me Kenneth Branagh që i bashkohet kastit origjinal: Hathaway, Streep, Blunt dhe Stanley Tucci.
Pasardhësja e Wintour në Vogue është shpallur Chloe Malle, vajza e regjisorit të njohur francez Louis Malle. Vetë Wintour do të vazhdojë si shefe e përmbajtjes për Condé Nast, kompaninë mëmë, që zotëron mediat më prestigjioze të modës, dhe drejtoreshë globale e Vogue.