Nepali heq ndalesën për mediat sociale pas vdekjes së 19 personave në protestën e së hënës

Nepali ka hequr vendimin me të cilin e ndalonte përdorimin e mediave sociale, vendim ky që shkaktoi protesta dhe çoi në përleshje me policinë si pasojë e të cilave humbën jetën të paktën 19 persona dhe më shumë se 100 të tjerë u lënduan.

Një javë para ndalimit, kishte filluar një fushatë në rrjetet sociale e njohur si “fëmijët nepo”, e cila vendoste në qendër të vëmendjes stilin e jetesës luksoze të fëmijëve të politikanëve dhe akuzat për korrupsion, raporton BBC.

Kur qeveria vendosi të ndalojë 26 platforma të mediave sociale, duke përfshirë Facebook dhe YouTube, shpërthyen protesta me mijëra të rinj që sulmuan parlamentin në kryeqytetin Katmandu të hënën.

Disa rrethe tani janë nën shtetrrethim. Një ministër i qeverisë tha se ata e hoqën ndalimin pas një takimi urgjent vonë të hënën në mbrëmje për të adresuar kërkesat e protestuesve që i referoheshin vetes si “Gjenerata Z”.