Emiratet mbështetën Shqipërinë në përballje me zjarret – 72 efektivë dhe 2 helikopterë Black Hawk në mision 3 javor

Shqipëria ka përfituar ndihmë të drejtpërdrejtë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në luftën kundër zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit gjatë muajit gusht.

Për një periudhë trejavore, 72 efektivë të forcave të sigurisë së Emirateve së bashku me dy helikopterë Black Hawk, kanë qenë të angazhuar në operacione intensive nga ajri dhe toka.

Ndihma e ofruar ka përfshirë dhjetëra ndërhyrje të koordinuara për shuarjen e vatrave të zjarrit, duke ndihmuar ndjeshëm autoritetet shqiptare në kontrollin dhe menaxhimin e situatës emergjente.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e Emirateve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballimin e fatkeqësive natyrore.

“Faleminderit për solidaritetin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin me trupat shqiptare që çdo ditë mbrojnë jetën dhe natyrën me përkushtim e sakrificë. Shukran jazīlan!”, u shpreh Vengu.

Ky bashkëpunim përforcon marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe tregon gatishmërinë e të dyja palëve për të ndihmuar njëra-tjetrën në kohë nevoje.